LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Gjendje alarmante si pasojë e menaxhimit të dobët të pandemisë – Qeveria të dalë me një plan të ri veprimi

Krasniqi: Gjendje alarmante si pasojë e menaxhimit të dobët të pandemisë – Qeveria të dalë me një plan të ri veprimi

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas rritjes së rasteve të vdekjeve dhe infektuarve me coornavirus.

Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se vendi po kalon nëpër një tragjedi ku për shtatë ditët e fundit kanë vdekur 85 qytetarë në betejë me Covid-19, prej të cilëve 18 vetëm sot, ndërsa numri i rasteve aktive të të infektuarve ka arritur shifrën prej rreth 25 mijë.

Sipas tij kjo gjendje alarmante ka ardhur si pasojë e menaxhimit të dobët të Qeverisë me pandeminë.


“Kjo gjendje alarmante, që vjen para së gjithash si pasojë e menaxhimit të dobët të pandemisë, duhet të adresohet urgjentisht. Qeveria duhet ta ketë një plan të qartë veprimi – me aplikimin e masave të duhura dhe efikase, me rritjen e kapaciteteve për vaksinim dhe shtimin e numrit të qendrave të vaksinimit, si dhe me investime të menjëhershme në spitale dhe me sigurim të medikamenteve që po mungojnë për pacientët”, tha ai.

Tutje ka kërkuar urgjentisht që Qeveria të dalë me një plan të ri menaxhimi me shtim të kapaciteteve.

“Çdo ditë neglizhence e mëtejshme do të na kushtojë me më shumë jetë të qytetarëve që me kujdes e menaxhim efikas mund të shpëtohen. Qeveria nuk mund ta aktrojë edhe më tej normalitetin në këtë kohë jonormale”, tha kreu i PDK-së./Telegrafi.