LAJMI I FUNDIT:

Dita e Pavarësisë, 4 korriku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Dita e Pavarësisë, 4 korriku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Ilustrim

Çfarë do të ishte jeta, në kuptimin e gjerë të fjalës, në qoftë se nuk do të ishte një tërësi simbolikash të ndërlidhura me njëra-tjetrën? Nëpërmjet simboleve, secili prej nesh i jep kuptim ekzistencës së tij dhe vendos bazat për veprimtarinë e tij sociale dhe politike. Kjo gjë nuk është e vlefshme vetëm për individët, pra, vetëm në planin personal, por sidomos për shoqëritë, si në nivel kombëtar dhe në atë global. Për këto arsye mund të themi që politika si aktiviteti më i rëndësishëm social dhe kombëtar frymëzohet nga simbolet, u jep vlerën e duhur atyre, i mbështet dhe i bën pjesë të mëvetësisë politike, sociale, por sidomos kombëtare. Dhe kur flasim për simbole politike, sociale dhe kombëtare, nuk mund të mos flasim për një datë të veçantë, datën 4 Korrik, për ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Data 4 Korrik 1776 përkujtohet çdo vit në ShBA (por edhe anembanë botës) si dita kur Kongresi i dytë Kontinental i mbajtur në Filadelfia miratoi deklaratën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Nëpërmjet kësaj deklarate, 13 Kolonitë u shpallën sovrane dhe të pavarura nga kurora britanike dhe në këtë mënyrë u shpall botërisht vullneti i tyre për të formuar një entitet të ri politik, i cili në vazhdim do të zinte vendin e tij në arenën ndërkombëtare dhe gradualisht do të shndërrohej në promotorin e vlerave universale të lirisë dhe demokracisë. Ky entitet politik do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë se dy shekuj kanë kaluar që nga ajo datë dhe sigurisht thuajse çdo komponent i realitetit social, politik dhe ekonomik si në ShBA, ashtu edhe në pjesën tjetër të botës, ka ndryshuar, ka marrë formë dhe përmbajtje tjetër, është transformuar ose riforcuar, është rithemeluar apo rikonceptuar. Sistemet ekonomike, balancat politike, strukturat sociale, përbërja e sistemit ndërkombëtar, zakonet, doket dhe praktikat e përditshme sociale, të gjitha janë në një proces të vazhdueshëm ndryshimi. Herë më të ngadaltë e herë më të vrullshëm. E, megjithatë, ka disa komponentë, disa struktura, disa praktika dhe për më tepër disa vlera që kanë mbetur të pandryshuara. Dhe simbolika e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pa dyshim një prej tyre, tejet e rëndësishme. Ëndrra dhe vizioni kolektiv se çdo shoqëri duhet të ketë të drejtën të jetë e lirë, se çdo individ duhet të ketë të drejtën të jetë i lirë, se liria duhet të jetë vlera themelore, mbi të cilën një shoqëri e drejtë duhet të ndërtohet, vazhdojnë edhe sot të rezonojnë anembanë botës sa herë kujtohet dhe festohet 4 Korriku. Sa herë që fishekzjarrët ndriçojnë mbi qiellin e Shteteve të Bashkuara në çdo 4 Korrik, ato ndriçojnë pikërisht këto ideale. Në çdo cep të globit.


Për çdo shoqëri, një ditë përkujtimore, është një mundësi jo vetëm për të vlerësuar të kaluarën, por, veçanërisht për të analizuar dhe për të kuptuar më mirë të tashmen, në dobi të së ardhmes. Për të vlerësuar arritjet, për t’u përballur me problemet, për të piketuar sfidat dhe rrugëtimet, për të vizionuar idetë dhe pritshmëritë. Kjo ndodh edhe me shoqërinë amerikane, kombin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo 4 Korrik. Kjo do të ndodhë edhe më 4 Korrik 2021. E gjendur shpesh përballë sfidave dhe vështirësive herë të parashikuara e herë krejt befasuese, ajo ka mundur jo vetëm të mos thyhet e frikësohet, por përkundrazi të përballet me shumë kurajë e vendosmëri me to dhe të bëhet edhe më e vendosur në parimet që burojnë prej kushtetutës së 4 korrikut të vitit 1776.

Kjo ditë pavarësie i gjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një president dhe administratë të re, e ardhur në detyrë përpara vetëm shtatë muajve. Presidenti Joe Biden e mori detyrën në një prej viteve dhe situatave më të vështira jo vetëm të historisë amerikane, por të të gjithë botës. Në një vit ku pandemia vazhdon ende të ndikojë jetën e secilit qytetar në të gjithë globin. Përkushtimi i tij, ashtu si edhe ndërgjegjësimi i tij për vështirësitë e situatës, u duk që në momentin e betimit të tij si President. Në fjalimin historik të mbajtur gjatë betimit si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden vendosi në qendër fjalën demokraci. Demokraci jo vetëm si një tërësi institucionesh, por si një proces ku rolin kryesor e luajnë qytetarët dhe betejat që ata duhet të japin në mënyrë që ajo të mbijetojë dhe të prosperojë. Duke përdorur forcën e simbolikës, Biden mori shembuj bashkues, mbipartiakë, shembuj që historikisht kanë qenë shtyllat e bashkimit të popullit amerikan, që nga George Washington, tek Abraham Lincoln e deri te Martin Luther King. Kjo për të theksuar rëndësinë e demokracisë, shpeshherë të nënvlerësuar këto vitet e fundit. Dhe çdo hap i ndërmarrë deri tani nga Presidenti Biden, si në politikën e tij brenda Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe në politikën e jashtme dhe raportet ndërkombëtare, ka pasur në qendër pikërisht interesin e demokracisë rritjen e peshës dhe rëndësisë së saj.

Gjatë këtyre shtatë muajve janë bërë shumë ndryshime pozitive dhe të dukshme. Janë hedhur hapa të rëndësishëm dhe konkretë si në aspektin e luftës ndaj pandemisë, ashtu edhe në aspektin ekonomik, social dhe ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përkujtojnë këtë ditë pavarësie me një situatë të pakrahasueshme nga viti i kaluar dhe me shumë shpresë e optimizëm ndryshe nga ajo kohë kur retë e zeza të pandemisë kishin mbuluar çdo gjë dhe kur e ardhmja dukej kaq e zymtë.

Kështu, plani i presidentit Biden prej 1.9 trilionë dollarësh për rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane, American Recovery Plan (ARC), duket se ka filluar të japë efektet e tij pozitive. Ky plan ambicioz përfshin një sërë masash, duke filluar nga përfitimet e papunësisë, fondet e shpërndarjes së vaksinave, subvencionet e kujdesit shëndetësor, ndihmat ndaj bizneseve etj. Kjo paketë ishte më e madhja që prej marsit të vitit të kaluar dhe konsiderohet pikërisht si zbatimi i filozofisë së Biden për mbështetjen e shtresave sociale në nevojë si edhe shtresës së mesme, e cila konsiderohet si themeli i shoqërisë amerikane.

Nëpërmjet fondeve federale synohej që në radhë të parë të përballohej situata emergjente e krijuar nga pandemia dhe në vazhdim të mbështetej rritja ekonomike nëpërmjet mbështetjes së shtresave në nevojë dhe investimeve federale për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Dhe sot ShBA për sa i përket situatës së pandemisë ka administruar rreth 327 milionë doza vaksinash duke qenë ndër vendet e para në botë në lidhje me qytetarët e vaksinuar në raport me numrin e popullsisë. Pra, kjo ditë përkujtimore e pavarësisë amerikane mund të konceptohet edhe si “një ditë e fillimit të pavarësisë nga pandemia”, siç Presidenti Biden pati premtuar. Gjithashtu, edhe të gjitha të dhënat flasin për një fillim të rimëkëmbjes ekonomike, në themel të të cilit është dhe i ashtuquajturi, “American Jobs Plan”dhe lidhet me krijimin e vendeve të reja të punës dhe shoqërohet me një paketë që parashikohet të ketë një kosto rreth 2.25 trilionë dollarësh gjatë 8 vjetëve të ardhshme dhe pjesa e dytë që emërtohet “American Families Plan”. Për sa i përket “American Jobs Plan”, elementi kryesor i tij mbetet përmirësimi i infrastrukturës së vendit nëpërmjet investimeve gjigante publike.

Mund të themi pa mëdyshje se Presidenti Biden nuk i ka zhgënjyer pritshmëritë me politikat dhe masat që synojnë të ringrenë dhe të ribashkojnë shoqërinë amerikane nëpërmjet përballjes dhe luftës kundër problemeve dhe plagëve sociale të saj.

Spikatin, mes të tjerash, politikat e tij për të luftuar diskriminimin gjinor, jo vetëm në aspektin e pagës, nëpërmjet një pakete mbështetëse emergjente, por edhe nëpërmjet betejave të vazhdueshme ligjore (siç është miratimi në Kongres i Paycheck Fairness Act) dhe politike (ku demokratët amerikanë kanë kontribuar dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre politik) si dhe një përpjekje për të ndryshuar mendësi penguese të rrënjosura ndër vite.

Për sa u përket plagëve të shkaktuara nga problemet dhe çështjet raciale në shoqërinë amerikane, Presidenti Joe Biden duket i vendosur të luajë një rol të rëndësishëm dhe jetësor në kapërcimin e pengesave strukturore, por edhe simbolik, në mënyrë që probleme të tilla të gjejnë adresimin e duhur jo vetëm nga shteti, por edhe nga shoqëria. Kështu, nënshkrimi nga presidenti Biden i ligjit, nëpërmjet të cilit data 19 qershor (pra, Dita Përkujtimore e Përfundimit të Skllavërisë) shndërrohet në një ditë festive federale e një rëndësie të veçantë. Nuk duhet të nënvlerësohet rëndësia e politikave të tilla, të cilat synojnë të ndërgjegjësojnë publikun në lidhje me të kaluarën, por edhe të tashmen dhe të ardhmen.

Duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “janë rikthyer” në arenën ndërkombëtare, në politikën e tyre të jashtme, në pozicionin e tyre tradicional si aktor thelbësor dhe i pazëvendësueshëm i zhvillimeve globale dhe ekuilibrave. Presidenti Biden, gjatë vizitës së tij të parë në Evropë për Samitin e G7-ës, Samitin e NATO-s dhe takimin me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, në Gjenevë, dëshmoi dhe rikonfirmoi përkushtimin tradicional të ShBA-ve ndaj sistemit të vlerave demokratike, ndaj institucioneve të demokracisë liberale dhe ndaj respektimit të të drejtave të njeriut në tërësi dhe njëkohësisht tregoi vendosmëri dhe përgjegjësi në mbrojtjen e tyre.

Rezultati i shumëpritur i vizitës së parë të Presidentit Biden jashtë ishte rikthimi i unitetit të boshtit transatlantik dhe euroatlantik dhe i marrëdhënieve jetësore dhe partneritetit të ngushtë të bazuar në zotimet dhe angazhimet e përbashkëta me aleatët tradicionalë evropianë. Gjatë kësaj vizite u tregua një kohezion dhe bashkëpunim realist dhe pragmatik në përballjen jo vetëm të sfidave dhe problemeve globale, por edhe ndaj vendeve, të cilat rrezikojnë paqen, sigurinë në nivel global dhe shpërfillin demokracinë dhe të drejtat e njeriut në vendet e tyre.

Për herë të parë, si në takimin e G7, ashtu edhe në atë të NATO-s, qëndrimi ndaj Kinës dhe politikave të saj sfiduese për sigurinë e Vendeve të Aleancës dhe Traktatin e Uashingtonit dhe Agjendën 2030, tregoi një unitet dhe vendosmëri domethënëse. Të gjithë shprehën shqetësimin e përbashkët ndaj modernizimit të shpejtë ushtarak të Kinës, shtrirjes së arsenalit bërthamor të saj, përdorimit të sistemeve të sofistikuara të teknologjisë së lartë të komunikimit dhe mungesës së plotë të transparencës nga ana e saj.

Përpjekja e presidentit Biden për arritjen e “parashikueshmërisë dhe stabilitetit” në marrëdhëniet me Rusinë në dobi të një klime të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, ishte objektivi tjetër ambicioz dhe i guximshëm i tij gjatë takimit me Presidentin rus Putin.

Duke provuar një politikë ndryshe nga administrata e mëparshme, Presidenti Biden qartësoi gjatë këtij takimi se ditët kur Shtetet e Bashkuara stepeshin përballë veprimeve agresive të Rusisë, ndërhyrja në zgjedhjet, sulmi kibernetik ndaj institucioneve amerikane dhe sfida e politikave dhe interesave amerikane në botë kanë marrë fund.

Vizioni dhe vendosmëria e administratës Biden për të përballur situatën e tensionuar të raporteve mes Uashingtonit dhe Moskës dhe përpjekjet e saj për të zgjidhur çështje të rëndësishme të sigurisë botërore tregojnë se në vitet që vijnë, do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve optimiste në arenën ndërkombëtare.

Mbështetja që ShBA në nivel dypalësh, por edhe shumëpalësh, po u japin vendeve të varfra në lidhje me furnizimin me vaksina dhe mjete të tjera mjekësore të nevojshme për të përballuar pandeminë, por edhe rëndësia që po u japin ndihmës ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për të luftuar fenomenet e korrupsionit dhe për të forcuar institucionet demokratike të tyre janë një tregues i rëndësishëm se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në periudhën Biden do të luajë rolin e pazëvendësueshëm për stabilitetin marrëdhënieve ndërkombëtare dhe prosperitetin e komunitetit ndërkombëtar.

Rikthimi i një Amerike të re në Ballkan duket se dha frytet e duhura. Nënshkrimi i marrëveshjes për koordinim e teknologjisë 5G, mes Kryeministrit Rama dhe Sekretarit të Shtetit Bliken është shembull i fortë dhe një mesazh shumë i rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara u dërgojnë aktorëve të tretë të interesuar për të depërtuar në ekonomitë, sigurinë, politikat dhe shoqëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht një garanci për më shumë vëmendje dhe prani të saj në këtë rajon që dukej i larg vëmendjes së administratës së mëparshme.

Vizita e paradisaditëve në Tiranë dhe në Shkup e zyrtarit të lartë amerikan, ndihmëssekretarit të Shtetit në detyrë, Filip Rieker, dhe bisedimet e mesazhet e kësaj vizite mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro amerikane janë një provë tjetër e rritjes së pranisë amerikanë në vendin dhe rajonin tonë. Mbështetjen për reformat në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit i konsideroi të një rëndësie të veçantë diplomati Rieker duke nënvizuar se përparimi në këto çështje do të nxisin demokracinë, sigurinë e biznesin amerikan në vendin tonë dhe do të ndihmojnë që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ky është një pjesë e bilancit të suksesshëm dhe situata, në të cilën Dita e Pavarësisë e këtij kombi të madh dhe më të madhit mik të shqiptarëve, i gjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë vit. Një vit dhe një situatë, të cilat duket sikur janë të denja vetëm për shoqëritë e guximshme. Për shoqëritë, të cilat nuk kanë frikë nga problemet e së tashmes apo nga gabimet e së kaluarës. Për shoqëritë që nuk ndalen asnjëherë së eksploruari, mundësi, ide dhe vizione të reja. Për shoqëri që nuk janë kurrë egoiste, por të gatshme për t’u sakrifikuar edhe për të tjerët. Për shoqëri mikpritëse ndaj kulturave, gjuhëve, besimeve dhe zakoneve të ndryshme. Për shoqëri që nuk stepen e as ndalojnë kurrë përpara vështirësive dhe janë të afta të ringrihen sa herë rrëzohen. Kjo është shoqëria amerikane, këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe nga kjo ditë që përkujton pavarësinë e tyre, çdo shtet dhe çdo shoqëri në botë ka se çfarë të mësojë.