LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: E kemi ndjerë mungesën e Thaçit dhe Veselit, zgjedhja e Krasniqit lajm i mirë

Hoxhaj: E kemi ndjerë mungesën e Thaçit dhe Veselit, zgjedhja e Krasniqit lajm i mirë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka uruar kryetarin e zgjedhur të partisë, Memli Krasniqi.

Hoxhaj thotë se Partia Demokratike e Kosovës tregoi një tjetër pjekuri politike sot.

“Ajo demonstroi fuqi, vetëdije dhe vendimmarrje në kohën dhe momentin e duhur. Në Konventën e dhjetë zgjedhore të partisë, të gjithë e kemi ndjerë mungesën e liderëve historikë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por debatuam e vepruam me shikimin nga e ardhmja”, ka pohuar ai.


Më tej, Hoxhaj ka pohuar se “Zgjedhja e mikut e bashkëpunëtorit tim, Memli Krasniqi në krye të PDK-së është një nevojë dhe domosdoshmëri”.

“Është lajm i mirë për PDK-në dhe për Kosovën. Partia ka nevojë të hapet dhe të reformohet por asnjëherë ta harroj të kaluarën e saj që buron tek lufta çlirimtare. Rrugëtimi i përbashkët në fitore e beteja të mëdha politike për shtetin e Kosovës, na bën të përgjegjshëm për të ndjekur me krenari rrugëtimin historik të liderëve tanë. Na priftë e mbara në këtë etapë të re. Urime Memli. Urime PDK”. /Telegrafi/