LAJMI I FUNDIT:

Memli Krasniqi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Memli Krasniqi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës
Memli Krasniqi, kryetar i ri i PDK-së (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Memli Krasniqi u zgjodh sot kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës në konventën e dhjetë të kësaj partie. Në votim morën pjesë 476 delegatë, ndërkaq 7 nga ta ishin kundër dhe 1 abstenoi. 

Krasniqi ishte kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se është falënderues për mundësinë dhe i ndërgjegjshëm për barrën e përgjegjësisë që do ta merr si i pari i partisë.


Gjatë prezantimit të platformës politike, ai tha se si parti sot janë në opozitë.

“Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate… Se si duhet të operojë sot PDK, mbi këtë situatë politike, duhet të flasim hapur për disa gjëra, e të mendojmë nga e ardhmja. Ne sot jemi opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate. Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njëjtë”, u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, tash e disa muaj, PDK po përballej me mungesën e dy ish udhëheqësve të saj dhe të UÇK-së, Kadri Veselit e Hashim Thaçit, të cilët shënuan një dekadë fitoresh për PDK-në, që nga viti 2007.

Por, në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, PDK doli e dyta me 17 %. Ky nuk ishte aspak rezultat i mirë për një parti që për 10 vjet kishte qenë e para me rreth 30%.

Krasniqi rrugëton tash e 17 vjet me PDK-në. Në karrierën e tij politike, ka mbajtur pozita si në parti ashtu edhe në institucionet shtetërore. /Telegrafi/