LAJMI I FUNDIT:

Përkeqësohet siguria në rrugë, 42 viktima për pesë muaj e gjysmë

Përkeqësohet siguria në rrugë, 42 viktima për pesë muaj e gjysmë

Gjendja e sigurisë në rrugët e Kosovës nuk është aspak e kënaqshme ku vetëm brenda periudhës janar deri mesi i qershorit janë shënuar 42 të vdekur si pasojë e aksidenteve të trafikut.

Këto komente u bënë në një tryezë të organizuar sot nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit “Hasan Prishtina” dhe Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” me temën “Vlerësimi i gjendjes së sigurisë rrugore nga perspektiva shkencore dhe akademike”.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala derisa ka renditur shkaktarët kryesore të aksidenteve rrugore në Kosovës, tha se në aspektin e viktimave Kosova në vitin 2020 për shkak të pandemisë ka shënuar rënie të këtyre rasteve, dhe qëndron shumë më mirë se vendet në rajon.


“Në aspektin e viktimave Kosova në vitin 2020 është më së miri në raport edhe në rajon, por edhe me mesataren e Bashkimit Evropian. Vërejmë një zvogëlimin prej 54 % në vitin 2020 në raport me 2010. Ndikimi i pandemisë në zvogëlimin e fataliteteve për vitin 2019-2020, në krahasim me mesataren e BE-së dhe rajonin, Kosova ka një ulje të dukshme në raport me këto shtete… Sipas të dhënave tona bazuar në super ekspertizë që kryhet në fakultetin tonë, me kërkesë të gjykatave dhe prokurorive të Kosovës, rrjedh që shkaktari kryesor i aksidenteve në Kosovë tani për tani është shoferi, në vend të dytë sipas meje është rruga dhe sipas eksperiencës tonë dhe në vend të tretë është automjeti”, tha ai.

Drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Muhamet Krasniqi tha se në Kosovë vazhdojnë të mungojnë njohuritë shkencore për sigurinë rrugore.

Sipas tij, në Kosovë mungon një strategji e qartë zhvillimore e bazuar në hulumtime dhe analiza, por kryesisht ato ndërtohen mbi parimet e përkthimeve të dokumenteve model nga vendet tjera.

“Këto ditë në vendin tonë gjendja e sigurisë rrugore është përkeqësuar dukshëm edhe pse po shihen veprimet e institucioneve përkatëse për të siguruar lëvizjen e qytetarëve në rrugë. Akoma vazhdojnë të mungojnë njohuritë shkencore për ta bërë sigurinë rrugore të bazuar në prova. Shkaqet e aksidenteve aktualisht janë të shumta, por ende nuk bëhet një analizë e bazuar në hulumtime shkencore mbi bazë të të dhënave në terren…”.

Ai tha se, “Vazhdon të mungojë vullneti i institucioneve qeveritare për të bashkëpunuar, hartimi i ligjeve, strategjia kombëtare, rregullore, udhëzime administrative, vendosen politika të ndryshme që lidhen me këtë fushë, mirëpo profesorëve nuk u mundësohet të japin kontributin e tyre në këtë fushë. Strategjia kombëtare e sigurisë rrugore dhe transportit fatkeqësisht ende caktohen duke përkthyer dokumente direktiva dhe asnjëherë duke hartuar strategji të qarta zhvillimore të mbështetura në analiza paraprake”, tha Krasniqi.

Drejtori i Drejtorisë për Preventivë në Komunikacionin rrugor nga Policia e Kosovës, Jeton Rexhepi tha se nga janari e deri në mesin e qershorit 2021, si pasojë e aksidenteve fatale në vendin tonë kanë humbur jetën gjithsej 42 persona.

Rexhepi tha se ata janë duke bërë operacione të shumta dhe kanë ngarkuar njësi të shumta me qëllim që të rritet siguria në trafikun rrugor.

Nënkolonel Rexhepi po ashtu ka treguar se tashmë janë duke iniciuar disa ndryshime ligjore me qëllim që të arrihet digjitalizimi i gjobave.

“Viti 2021, si rrjedhojë e pandemisë COVID-19 të vitit 2020, edhe në vendin tonë e ka karakterizuar me numër në rritje të aksidenteve të trafikut, përfshirë dhe ato me fatalitet… Mund të them që numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rritje për 9 raste më shumë apo 11 persona të vdekur më shumë. Numri i aksidenteve me lëndime ka shënuar rritje për 856 raste, numri i aksidenteve me dëme materiale është në rritje për 1.710 raste. Ndërsa, në përgjithësi numri i aksidenteve është rritur për 2.575 raste… Nëse i referohemi analizës së trafikut rrugor për periudhën janar-maj 2021, kanë humbur jetën 42 persona, prej tyre 19 kanë qenë shoferë apo 45.5 për qind, ndërsa 12 kanë qenë këmbësorë dhe 11 kanë qenë pasagjerë”, tha Rexhepi.

Në këtë tryezë, përmes të cilës kërkohej më shumë bashkëpunim ndërinstitucional për sigurinë në rrugë, u prezantuan edhe të gjetura nga profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike./KP/