LAJMI I FUNDIT:

Konjufca pranon zyrtarisht detyrën e kryetarit të Kuvendit si dhe u.d të presidentit

Konjufca pranon zyrtarisht detyrën e kryetarit të Kuvendit si dhe u.d të presidentit

Glauk Konjufca ka pranuar zyrtarisht detyrën e kryetarit të ri të Kuvendit dhe ushtruesit të detyrës të presidentit nga Vjosa Osmani.

Osmani tha se Konjufca është deputet shembullor, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, Konjofuca ka falënderuar Osmanin për kontributin dhe ka thënë se është i bindur se shumë shpejt ajo do të zgjidhet presidente e Kosovës.


“Faleminderit z. Osmani. Për nga mosha parlamentare e angazhimi jemi pak a shumë të njëjtë. Ajo e ka kryer me përgjegjësi të lartë detyrën e u.d. presidentes së Kosovës. Keni dhënë shembull të shkëlqyeshëm në politikë, e kudo. Kështu që më vjen mirë që përmes zgjedhjes së kryetarit e kryesisë së Kuvendit u hap rruga për institucionet e Kosovës të shkojnë hapave të tjerë. Për zgjedhjet e Qeverisë së Kosovës, por shumë së shpejti edhe për ju si presidente e ardhshme e Kosovës”, tha Konjfuca.

Konjufca është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit, më 69 vota pro.

Gjithashtu, në seancën konstituive të legjislaturës së tetë janë zgjedhur edhe nënkryetarët.

Nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e VIII-të janë: nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur Saranda Bogujevci, nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës është zgjedhur Kujtim Shala. /Telegrafi/