LAJMI I FUNDIT:

Osmani para ushtarëve të FSK-së: Të gjithë jemi gardian të Republikës së Kosovës

Osmani para ushtarëve të FSK-së: Të gjithë jemi gardian të Republikës së Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se u është adresuar njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në shënimin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Osmani tha se liria e Pavarësia e Kosovës do të ishin vetëm ëndërr pa punën dhe sakrificën e presidentit historik, Ibrahim Rugova e komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Sot rikujtojmë rrugëtimin e shtetit tonë që sot shënon përvjetorin e 13-të. Ky shtet është bërë nga gjaku i dëshmorëve, nga djersa e mundi të secilit prej jush, nga rezistenca dhe vullneti i pathyeshëm për qëndresë, nga urtësia e mprehtësia e brezave të tërë mësuesish, mjekësh, krijuesish, burrash e grash që kanë rënë në këtë ditë të shenjtë. Madhështia e popullit tonë është nga madhështitë e secilit prej jush, ndaj falë kontributit tuaj të vlefshëm të gjithë bashk jemi gardianë të Republikës së Kosovës. Pavarësia nuk do të arrihej pa rezistencën e prirë nga Presidenti Ibrahim Rugova, pa sakrificën sublime të vajzave dhe djemve të UÇK dhe të komandantit Adem Jashari, por edhe të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të vendit pa të cilët liria do të mbetej vetëm ëndërr”, ka thënë Osmani.


Gjithashtu, ajo falënderoi vendet partnere që e kanë ndihmuar çlirimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës.

“Kjo nuk do të ishte e mundshme as pa kontributin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.  Duke shikuar mbrapa 13 vjet pas e shohim rëndësinë e lirisë tonë dhe të mbështetjes nga vendet mike, të cilat dhanë kontribut të çmueshëm në lirinë tonë dhe në pavarësinë e vendit. Përjetësisht mirënjohës NATO-s, SHBA, BE-së dhe gjithë botës demokratike. Rrethanat e krijuara nga pandemia COVID-19 na kanë privuar që të kemi edhe miqtë tanë nga vendet mike, me shpresë që në të ardhmen do ta sfidojmë këtë”, tha ajo.

Osmani po ashtu tha se në 13 vjetorin e pavarësisë, pjesëtarë të FSK-së janë bërë pjesë e misionit paqeruajtës të SHBA-së.

“22 vjet më parë djemtë dhe vajzat tona luftuan për çlirim, teksa në 13 vjetorin e  pavarësisë së Kosovës, kolegët tuaj bëhen pjesë të Misionit të parë paqeruajtës krahas partnerit tonë strategjik, SHBA. Kjo na ka bërë krenar, nga sot po bëjmë hapa përpara për të dhënë kontribut.  Forca e Sigurisë së Kosovës është ushtria më e re në botë dhe po kalon periudhën e  tranzicionit. FSK po punon drejt realizimit të synimit strategjik të anëtarësimit në NATO.  Për gjatë dy dekadave për liri kemi arritur që të krijojmë një perspektivë jo të kënaqshme andaj ky trend duhet të ndalet. Nuk duhet të prodhojmë brez të ri mërgimtarëve. Është koha që rinia jonë të jetë e gatshme të kontribuoj në tregun tonë”, tha ndër të tjera Osmani. /Telegrafi/