LAJMI I FUNDIT:

Vuçiq: Deri më 2022 nuk do të ketë njohje të Kosovës – pastaj vendos populli

Vuçiq: Deri më 2022 nuk do të ketë njohje të Kosovës – pastaj vendos populli

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se deri në prill të vitit 2022, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, presidenti serb një gjë të tillë e ka thënë në emisionin “Prva tema” në TV Prva.

Me këtë datë ai i është referuar vitit kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.


Dhe pas kësaj, siç ka deklaruar presidenti serb, njerëzit në Serbi do të jenë ata që do të vendosin.

“Ne kemi shumë çështje të rëndësishme. Por, deri në prill të vitit 2022, kur ka zgjedhje si për presidentin ashtu edhe për parlamentin, kjo nuk do të ndodhë, dhe pas kësaj janë njerëzit që vendosin”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Duke reaguar ndaj vlerësimit të Vuçiq, profesori i shkencave politike dhe ish-ambasadori në Berlin, Ivo Viskoviq, vlerësoi se njohja e Kosovës “sigurisht nuk do të ndodhë në një të ardhme të parashikueshme”.

Gjithsesi, Viskoviq vlerëson se njohja e Kosovës varet nga disa rrethana.

“Mos thuaj kurrë ‘jo’ në politikë”, ka paralajmëruar ai.

Sipas mediave serbe, Vuçiq vlerëson gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë pozicionin e tyre ndaj Kosovës, pa marrë parasysh se cila administratë është në pushtet.

“Është e vërtetë që ata po humbin durimin, por Serbia arrin të rezistojë dhe të vonojë”, ka thënë më tej Vuçiq.

Ndërsa profesor Viskoviç vuri në dukje se është realiste të presësh që administrata e re në Uashington do të bëjë presion mbi “një zgjidhje për Kosovën”. /Telegrafi/