LAJMI I FUNDIT:

Vjosa Osmani shërohet nga coronavirusi

Vjosa Osmani shërohet nga coronavirusi

U.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani është shëruar nga coronavirusi.

Osmani ka njoftuar se tashmë është rikthyer në zyre pas një izolimi dyjavor për shkak të virusit COVID-19, transmeton Telegrafi.

“Kam bërë thirrje gjithnjë, e tani pas eksperiencës time dhe të familjes time me virusin, ju lutem sërish që të bëni kujdes të shtuar e të vazhdueshëm. Tashmë virusi është çdo ku. Ne ishim me fat ta luftojmë virusin me sukses, por, fatkeqësisht, ky nuk është fati i të gjithëve”, ka thënë Osmani.


Më tej, ajo ka pohuar se “Covid-19 ka lënë shume familje pa më të dashurit e tyre, i ka rrëmbyer ata padrejtësisht pa pasur mundësinë për të dhënë përshëndetjet e fundit”.

“Derisa bashkëndjejmë me ata që janë goditur më së shumti, inkurajojmë ata që janë në vijën e parë të frontit me virusin, e nderojmë kujtimin e atyre që nuk janë më në mesin tonë, ky fundvit le të na shërbejë për të reflektuar mbi atë se çfarë çmojmë më së shumti në jetë, çka na bashkon, dhe çka na jep motiv të dalim triumfues ndaj këtij armiku të përbashkët”, ka shkruar ajo në Facebook.

Osmani ka shkruar se duhet “ të vlerësojmë e të jemi falënderues për njerëzit që janë në jetët tona, e mënyra më e mirë për t’u dëshmuar dashurinë e respektin në këto kohë është duke mbajtur distancën, pastruar duart, e duke mbajtur maskën”.

“Të gëzojmë bekimet tona duke treguar kujdes. Duke u kujdesur për veten, kujdesemi edhe për të tjerët. Prandaj, edhe njëherë: distanca, duart, maska”, thotë ajo. /Telegrafi/