LAJMI I FUNDIT:

Mosrespektimi i masave anti-COVID: Për tre muaj, policia ka shqiptuar mbi 78 mijë gjoba në vlerë 2.7 milionë euro

Mosrespektimi i masave anti-COVID: Për tre muaj, policia ka shqiptuar mbi 78 mijë gjoba në vlerë 2.7 milionë euro
Foto: Arkiv

Që nga 26 gushti kur ka hyrë në fuqi Ligji antiCovid në Kosovë janë dënuar 78 mijë e 878 qytetarë, për shkak se nuk kanë respektuar masat antiCovid.

Zyra për media në Policinë e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar se në gjithë territorin e Kosovës deri tani janë dënuar 78 mijë e 878 qytetarë.

“Nga data 26.08.2017, kur ka filluar së zbatuari ligji anti-COVID, janë shqiptuar 78878 gjoba”, thuhet në përgjigjen e policisë.


Sipas Ligjit antiCovid personi fizik i cili nuk respekton vendimin për mbajtjen e maskës, mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë 35 euro. Që rrjedhimisht i bie që Policia e Kosovës ka mbledhur 2.7 milionë euro nga gjobat e shqiptuara.

Ndërkohë, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja antiCovid, të cilat kanë hyrë në fuqi nga data 13 nëntor. Me masat e reja të vendosura komunat janë kategorizuar sipas shkallës së rrezikshmërisë së infektimit.

Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 855 raste të reja, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 885. Raste aktive janë 12 mijë e 220. /Telegrafi/