LAJMI I FUNDIT:

Parlamenti i Shqipërisë miraton buxhetin e vitit 2021

Parlamenti i Shqipërisë miraton buxhetin e vitit 2021

Me 87 vota pro parlamenti miratoi në parim projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm. Pavarësisht goditjes që pësoi ekonomia, Rama shprehet se buxheti i vitit 2021 adreson dy prej problemeve madhore me të cilat u përballën financat, pandeminë dhe tërmetin e 26 Nëntorit.

Kryeministri Edi Rama: Për herë të parë në këtë vend do të ndërtohen lagje të tëra të reja, dhe për të gjitha ato familje ky vend ka pasur Zot, sepse asnjë nga ato familje nuk është lënë siç u lanë familjet që u përmbytën në Shkodër.

Arben Ahmetaj: Dhe janë 36 mijë familje e 621 për korrektesë statistikore, që do të përfitojnë nga rindërtimi.


Rritjen e pagave, uljen e taksave për biznesin e vogël dhe shëndetësinë falas i rendit në listën e detyrave që qeveria thotë se i ka materializuar në buxhetin e vitit të ardhshëm, që u miratua në parim me 87 vota pro.

“Deri në 2029 bizneset e vogla nuk do të kenë taksë mbi fitimin dhe nuk do të kenë TVSH deri në 100 mijë Dollarë xhiro. 40% rritja e pagave për gjithë bluzat e bardha të Republikës së Shqipërisë, edhe rritja e pagave për mësuesit është një angazhim i këtij buxheti dhe i shëndetsisë falas. Janë hedhur hapa gjatë gjithë kësaj kohe, 600 mijë shqiptarë rimbursohen njësoj si të tjerët. 110 milionë Dollarë në vit paguan qeveria sot për ilaçet e shqiptarëve”.

Bindjen për një fitore të radhës së socialistëve në 25 Prill, Kryeministri Rama e mbështet tek punët e bëra në 8 vite qeverisje.

“Mor të mblidhen bashkë, mor të ndahen veç, mor të vinë në paketë, mor te vinë veç e veç, ka vetëm një forcë këtu nuk ka tjetër, quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. E dinë edhe demokratët, e di edhe ai kryetari i Partisë Demokratike të Farkës. Tani kanë 4 shtëpi, 4 kurora, ai prapë do votojë PD-në. Po deshe gallatë, po deshe të dali ku të dali, jemi mirë me PD-në. Po deshe gomar për ti ngarkuar punë, është vetëm Partia Socialiste”.

Lulzim Bashës që e akuzon për varfërim të shqiptarëve i kujtoi qeverisjen e demokratëve.

“Janë dy njerëz, por me të njëjtën formulë. Jep një, të marrësh tre madje. Ftoji shqiptarët që të votojnë për Lulin dhe të marrin peshqesh Ilir Metën bashkë me Monikën, se Saliu nuk diskutohet që është në barkun e Lulit, jo si lepur por si luan”.

Ndërsa pozitës në parlament i rezervoi këtë përgjigje: “Ju jeni ndryshe, por tabelën e shumëzimit e keni të unifikuar me ata që s’janë këtu. Jeni të destinuar të vërtiteni në ato kënetat ku Erion Braçja çon turistët, për të parë specie të ndryshme”.

Por ndërhyrja nga vendi e deputetit Adriatik Alimadhi i kushtoi këtij të fundit përjashtimin  nga parlamenti për 10 ditë./ Tv Klan