LAJMI I FUNDIT:

Aktakuzë ndaj personit që tentoi t’i vë flakën veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi

Aktakuzë ndaj personit që tentoi t’i vë flakën veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit E.J., në drejtim të veprës penale “Zjarrvënia”, nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton opinionin se i pandehuri, më 13 qershor 2020, i shtyrë nga motive të ulëta, si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi zë”, me dashje ka tentuar ti vë flakën veturës së të dëmtuarit Shkumbin Kajtazi.

“I pandehuri E.J., duke e ditur vendndodhjen e veturës së të dëmtuarit, fillimisht e mbush një shishe të plastikës me benzinë, e stërpikë veturën në pjesën e motorit dhe në gomën e parë të veturës, dhe me një letër të ndezur tenton ti vë flakën veturës, por me të dëgjuar alarmin e veturave të policisë ikë nga vendi i ngjarjes, duke mos arritur kështu ta realizojë qëllimin e tij.


Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Zjarrvënia”, nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet nw njoftim.
Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurin t’a shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit. /Telegrafi/