LAJMI I FUNDIT:

Grubi-Predan: Sllovenia përkrah anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Grubi-Predan: Sllovenia përkrah anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Zv. kryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi takoi sot në kabinetin e tij ambasadorin e Sllovenisë në Shkup, Millan Predan.

Republika e Maqedonisë së Veriut, siç u vlerësua nga të dy bashkëbiseduesit, po lëvizë sipas të gjitha vlerave evropiane dhe Sllovenia me këtë rast do të vazhdojë të përkrahë në mënyrë aktive vendin tonë në procesin e integrimit evropian, në prag të fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi shprehu mirënjohje për mbështetjen miqësore nga Republika e Sllovenisë në proceset demokratike dhe euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.


“Grubi dhe Predan gjatë takimit këmbyen mendime edhe rreth krijimit të kushteve për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ekonomik, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Në këtë drejtim zëvendëskryeministri i parë Grubi i ka thënë ambasadorit Predan se е gjithë kjo do të arrihet përmes vetingut dhe drejtësisë joselektive në mënyrë që do të krijohen kushte të barabarta për të gjithë”, thuhet në kumtesë.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe rreth fqinjësisë së mirë me ç’rast Grubi theksoi bindjen që qytetarët e vendit tonë kanë investuar shumë në ëndrrën evropiane dhe fqinjët tanë do ta vlerësojnë drejtë këtë dëshirë shoqërore duke e mbështetur atë në frymën e solidaritetit evropian.

Zv. kryeministri i parë dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi vlerësoi lartë rolin e shtetit Slloven në realizimin e shumë proceseve demokratike në Maqedoni të Veriut, kontributin e ambasadës sllovene në Shkup, ndërkohë nga ana e tij, ambasadori i Sllovenisë, Millan Predan i ka premtuar Grubit se ai, përkatësisht Sllovenia do të vazhdojë të bashkëpunojë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e proceseve reformuese dhe bashkëpunimin ekonomik.