LAJMI I FUNDIT:

MFK shpall pozitat e para për punë praktike nga programi “Gratë në energji”

MFK shpall pozitat e para për punë praktike nga programi “Gratë në energji”

Fondacioni i Mileniumit i Kosovёs (MFK) ka hapur dhjetё pozitat e para pёr punё praktike me pagesё pёr gratё nё sektorin e energjisё. Kёto dhjetё pozita janё pjesё e gjithsej 200 pozitave qё do tё hapen nё muajt nё vijim pёr tё gjitha vajzat dhe gratë tё cilat janё nё vitet e fundit tё studimeve apo kanё dilplomuar rishtazi dhe nuk kanё pasur mundёsi pёr pёrvojё pune profesionale.

Programi Gratё nё Energji do tё pёrkrahё gratё dhe vajzat tё cilat janё duke studiuar nё fushat e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), por edhe disciplinat e tjera, siç janë, ekonomia, marketingu, financat, juridiku, teknologjia informative dhe fushat të tjera të ndërlidhura dhe të rëndësishme për sektorin e energjisë.

“Programi i Punës Praktike për Gratë në Energji, mbështetur nga MFK, vjen në një moment, kur ashtu si të gjitha vendet e botës, edhe Kosova ka prioritet fuqizimin e sektorit të energjisë si një nga synimet kryesore drejt zhvillimit ekonomik. Tregu i punës ka nevojë për burime të reja njerëzore që janë të përgatitura për sfida të reja dhe ne besojmë fuqishëm që ky program do të jetë një ndihmë e madhe në mbështetje të vajzave të reja në veçanti, për t’i përfshirë në komunitetin biznesor dhe sektorin e energjisë në përgjithësi”, u shpreh Lulzim Syla, Partner


Menaxhues në Elen, e cila është një ndër kompanitë që do të hapi dyert për praktikantet e energjisë. Disa nga pozitat e para tё shpallura janё: Inxhiniere e Energjisë së Ripërtërishme, Inxhiniere e Elektroteknikës, Hulumtuese e Energjisë etj. Për të gjitha detajet në lidhje me këto pozita vizitoni uebfaqen e programit Gratё nё Energji.

Specialistja për Përfshirje Gjinore dhe Sociale, pranë MFK-së, Violeta Rexha, theksoi se synimi kryesor i këtij programi është zbutja e hendekut gjinor në sektorin e energjisë.

“Qëllimi i këtij programi është tё ofrojё mundësi për të rritur kapacitetet teknike profesionale të vajzave dhe grave të cilat janë në fund të studimeve apo i kanë kryer rishtazi studimet e të cilat duan të jenë të gatshme për tregun e punës në sektorin tё energjisё” shtoi Rexha.

Muaj mё parё, Fondacioni i Mileniumit i Kosovёs ka publikuar thirrjen pёr shprehje tё interesit pёr Programin Gratё nё Energji-Punё Praktike, ku qindra vajza dhe gra shprehёn interesimin tё bёhen pjesё e kёtij programi. Pёr shkak tё pandemisё, programi u prolongua pёr tё rifilluar tani me hapjen e 10 pozitave tё para pёr punё praktike në distancë pёr gratё nё sektorin e energjisё.

MFK do tё mbёshtes institucionet dhe organizatat bashkёpunuese tё kёtij programi, duke ofruar pagesёn pёr praktikantet pёr 6 muaj. Gratё pёrfituese nga ky program do tё fillojnё angazhimin e tyre fillimisht nga distanca derisa situata tё normalizohet.

Ky aktivitet është pjesë e programit 1.45 milionësh, Gratë në Energji, mundësuar nga Millennium Challenge Corporation (MCC), që synon të rrisë interesimin e grave për mundësitë që ofron sektori i energjisë, duke ofruar punë praktike me pagesë dhe trajnime me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve teknike të grave që të jenë të kualifikuara dhe të përgatitura për tregun me sektorit te energjisë në Kosovë. MFK mbetet e përkushtuar të promovojë barazinë gjinore dhe të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për më shumë mundësi të barabarta për të gjithë në Kosovë.