Samiti maratonë i BE-së, që filloi ditën e premte, ia doli të marrë vendimin sfidues ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Kompromisi u arrit. Paketa më e madhe mbështetëse prej 1.8 bilionë eurosh vihet në dispozicion.
Në këtë samit maratonë të BE-së, ku në rend të ditës ishte ngjarja më e madhe që ka tronditur BE-në dhe jo vetëm, por gjithë globin, ajo e krizës ekonomike, rrjedhojë e pandemisë së COVID-19, nuk mund të ndodhte ndryshe. Kriza ekonomike e koronavirusit vazhdonte agresionin e saj për të sfiduar Evropën, ndërkohë që në tavolinën e këtij samiti, gjatë pesë ditëve vazhdonin konsultimet, përpjekjet, debatet për të arritur konsensusin e miratimit të paketës mbështetëse më të madhe në historinë e BE-së, përmes arritjes së një marrëveshje lidhur me buxhetin e ardhshëm (2021-2027) dhe Fondin e Rimëkëmbjes (2021-2023). Kjo ishte sfida. Dhe, nuk ishte e lehtë. Po përse?
Që prej krizës së borxheve që përfshiu vendet e jugut të Evropës duke filluar nga viti 2008 e në vazhdim, përplasje midis dy grupeve të shteteve që mbështesin dy qasje të ndryshme (megjithëse duhet pranuar jo diametralisht të kundërta) për mënyrën sesi duhet të dilet nga kriza janë shfaqur e debatuar vazhdimisht. Në këtë samit, ato u përvijuan dukshëm.
Dhe, me sa duket, as situata e jashtëzakonshme e shkaktuar nga pandemia që po përjetojmë nuk “i fshehu” diferencat në mendime dhe strategji për të dalë nga kjo vorbull krizash që po përjeton, veçanërisht kjo e tanishmja. Pesë ditë negociatash të vështira, të cilat nxorën në pah diferencat e mëdha në mendime, vizione dhe strategji ndërmjet vendeve anëtare. Pesë ditë, të cilat u shoqëruan më tension në sallat dhe zyrat e negociatave, por sigurisht me një ankth të justifikuar nga ana e qytetarëve evropianë (por, jo vetëm), të cilët shohin përditshmërinë e tyre të vështirësohet (në këtë periudhë pandemie) dhe të ardhmen e tyre të bëhet gjithmonë e më e pasigurt. Gjatë këtyre pesë ditëve, liderët e BE-së diskutuan dhe në njëfarë mënyrë kishin në duart e tyre jo vetëm të tashmen e shoqërive të tyre, por edhe të ardhmen e vetë Bashkimit Evropian. Kjo, sepse kriza në të cilën gjendet BE (por edhe pjesa tjetër e botës), është e jashtëzakonshme dhe të tilla duhet të jenë edhe masat që duhet të merren.
Për ta bërë pak më të qartë peizazhin politik, dinamikat dhe thelbin e qëndrimeve të kundërta të grupimeve brenda vendeve të BE-së, mund të themi në mënyrë të thjeshtëzuar se vendet e Jugut të Evropës (të cilat kërkonin më shumë mbështetje për ekonomitë e tyre të goditura më rëndë nga pandemia dhe kriza ekonomike në formë grantesh të pashoqëruara me masa shtrënguese), do të duhet të arrinin kompromisin me vendet e Veriut, të cilat shquhen për një konservatorizëm fiskal dhe për këmbënguljen e tyre për të shoqëruar çdo mbështetje ekonomike me një kontroll të rreptë dhe me masa shtrënguese që të kujtojnë ato që iu imponuan Greqisë. Në lojë duket se ishte edhe një grupim i tretë i vendeve të Evropës Lindore (që karakterizohen nga qeveri me qasje konservatore dhe nacionaliste), të cilat këtë herë kërkonin të rrisnin rëndësinë e tyre, duke shërbyer si ura midis pozicioneve të kundërta që mbështesin grupet e sipërpërmendura.
Gjithë kësaj tabloje interesash të shteteve anëtare, u shtoheshin edhe interesat e vetë Bashkimit Evropian, të cilat përfaqësohen nga institucionet kryesore evropiane si Komisioni, por që bazuar te eksperienca e viteve të kaluara duket se edhe këtë herë patën pak, për të mos thënë shumë pak, mundësi për të baraspeshuar dy nivelet e interesave, ato shtetërore dhe ato evropiane.
Një rebus i vështirë për t’u zgjidhur dhe një situatë, që me të vërtetë kërkonte mjeshtëri negociuese, politika vizionare dhe jo në shërbim të interesave afatshkurtra politike dhe sigurisht vullnet për të bërë lëshime.
Kancelarja Merkel, në deklaratat e saj përpara nisjes së samitit, duket se e përmblodhi në disa fraza të shkurtra të gjithë vështirësinë e arritjes se një marrëveshjeje, duke thënë se diferencat janë aq të mëdha sa nuk mund të parashikohej një marrëveshje e lehtë. Presidenti francez duket se ishte i të njëjtit mendim në lidhje me vështirësinë e arritjes së marrëveshjes, pavarësisht se në deklaratat e tij u përpoq që të vendoste theksin te nevoja për më shumë optimizëm dhe solidaritet nga vendet anëtare. Sidoqoftë, pavarësisht stilit të tij lakonik, duket se as Presidenti Macron nuk ishte aq optimist për gjetjen e një kompromisi ndërmjet vendeve anëtare. Nga ana tjetër, Kryeministri holandez, i vendit kryesor që kërkonte në mënyrë të qartë që çdo paketë ndihme të shoqërohej me reforma të thella në tregun e punësimit si dhe në sistemet e pensioneve, si dhe me një kontroll të rreptë, u shpreh se nuk ishte optimist se do të arrihej një kompromis ndërmjet vendeve anëtare, megjithatë, si për të lënë edhe një fije shprese, deklaroi se “asnjëherë nuk i dihet”.
Pengesa e parë duket se ishte shuma finale e planit të rimëkëmbjes. Gjithashtu edhe kufiri i buxhetit për periudhën 2021-2027. Dhe, kuptohet që pengesë përbënte edhe ndarja ndërmjet granteve dhe kredive.
Vendet si Holanda, Austria, Danimarka, Suedia dhe deri diku edhe Finlanda, u përpoqën të zvogëlojnë buxhetin si dhe të ndryshojnë analogjinë ndërmjet granteve dhe kredive, duke preferuar këto të dytat. Këto vende lobuan fort për shoqërimin e çdo pakete ndihme dhe çdo forme ndihme me masa të rrepta shtrënguese dhe me reformim të thellë të tregut të punës si dhe të sistemeve të pensionit të vendeve që do të kenë nevojë për ndihmë.
Nga ana tjetër, vendet e Jugut, me kryesoret Italinë dhe Spanjën të cilat si përfituese më shumë nga ndihmat kërkuan që çdo ndihmë të mos shoqërohet me masa shtrënguese, duke qenë se shembulli i Greqisë dhe i formës, përmbajtjes dhe mënyrës sesi masat shtrënguese iu imponuan, është një skenar që asnjë vend dhe asnjë qeveri nuk do ta zgjidhte me kënaqësi.
Një tjetër fakt interesant është se për herë të parë në historinë e Bashkimit Evropian lidhej dhënia e fondeve nga buxheti me respektimin e shtetit të së drejtës. Kjo bëri që vende të Evropës Lindore, si Hungaria dhe Polonia, të pozicionoheshin “në llogore mbrojtëse”, duke hedhur në tavolinë edhe mundësinë e vendosjes së vetos nëse diçka e tillë do të përfshihej në tekstin e marrëveshjes.
Në këtë situatë e tablo politike, përmes debatit pesëditor u arrit kompromisi dhe marrëveshja, e cila u karakterizua nga një vendosmëri dhe një vizion, i cili vendosi interesat afatgjata të Bashkimit Evropian si një entitet mbi interesat e disa prej vendeve anëtare apo mbi qëllimshmëritë politike të ditës. Ajo çka rrezikohej në një moment të tillë, nuk ishte diçka abstrakte, por është më shumë se konkrete. Rrezikohej jo vetëm solidariteti evropian, por vetë e ardhmja e gjeneratave të nesërme, vetë BE… Ekonomitë e gjunjëzuara nga krizat e njëpasnjëshme dhe sidomos nga kriza e pandemisë kishin nevojë për mbështetje dhe për rimëkëmbje imediate sot. Nesër mund të ishte tepër vonë. Por çfarë solli ky Samit?
Së pari, Fondi i Rimëkëmbjes do të përbëhet nga 390 miliardë euro grante dhe 360 miliardë euro kredi, me një shumë të përgjithshme prej 750 miliardë eurosh. Kjo shumë do të vihet në dispozicion të vendeve anëtare për 3 vitet e ardhshme. Sigurisht që raporti ndërmjet kredive dhe granteve ka ndryshuar nga propozimi fillestar i pranverës, i cili parashikonte një raport pre 500 miliardësh euro në grante dhe 250 në kredi, por ai është më i lartë se propozimi i grupit të vendeve skeptike si Holanda, Suedia, Danimarka dhe Austria, të cilët pretendonin që shuma e granteve të ishte më e vogël. Mënyra sesi u vendos ky raport pasqyron në njëfarë mase edhe ekuilibrin (e brishtë) të siguruar gjatë këtyre pesë ditëve të negociatave. Këto fonde do të sigurohen nëpërmjet kreditimit të BE-së, gjë që ka një rëndësi historike sepse është hera e parë që praktikisht ky proces kreditimi bëhet në nivel evropian dhe jo në nivel të vendeve anëtare. Mund të themi se kemi të bëjmë me një pikë-stacion në historinë e Bashkimit Evropian.
Siç thuhet shprehimisht në konkluzionet e Samitit: “Në mënyrë që t’i sigurojë Unionit mjetet e nevojshme për të adresuar sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19, Komisioni do të autorizohet të huazojë fonde në emër të Unionit në tregjet e kapitalit”. (Pika A3). “Komisioni do të jetë i autorizuar për të marrë hua fonde në tregjet e kapitalit në emër të Unionit deri në shumën prej 750 miliardë eurosh në çmimet e vitit 2018; aktiviteti i ri i huazimit neto do të ndalet më së voni në fund të vitit 2026. Unioni do të përdorë fondet e huazuara në tregjet e kapitalit me qëllimin e vetëm për të adresuar pasojat e krizës COVID-19”. (Pika A5)
Siç përmenda më sipër, ky fond do të jetë trevjeçar, me pagesa deri në vitin 2026. Mekanizmi kryesor i tij është Programi Recovery and Resilience Facility (RRF), i cili përbën rreth 90 për qind të fondit (672.5 miliardë euro, nga të cilat 360 grante dhe 312.5 kredi). Programet e tjera janë ReactEU me 47.5 miliardë euro, Horizon Europe m pesë miliardë euro, InvestEU me 5.6 miliardë euro, Rural Development me 7.5 miliardë euro, Just Transition Fund me 10 miliardë Euro, RescEU me 1.9 miliardë euro, (Pika A14)
Vlen të përmendet se ulja e shumës së granteve me rreth 110 miliardë euro, në krahasim me propozimin fillestar të Komisionit, u arrit përmes shkurtimeve në një numër programesh që synonin modernizimin e buxhetit të Unionit. Mbështetësit më të zjarrtë të modernizimit të buxhetit ishin Holanda, Austria, Suedia dhe Danimarka.
Kështu, shtesa e Fondit të Tranzicionit të Drejtë (Just Transition Fund) zvogëluan në mënyrë drastike nga 32.5 në 10 miliardë euro, ndërsa burimet shtesë për Horizon Eerope janë ulur gjithashtu nga 13.5 (të parashikuara në propozimin e majit) në pesë miliardë euro. Gjithashtu edhe burimet e Fondit të Zhvillimit Rural (Rural Development Fund), të cilat synojnë modernizim dhe përmirësimin mjedisor dhe të sektorit bujqësor, janë ulur nga 15 në 7.5 miliardë euro. Një tjetër pikë problematike ishte edhe heqja e programit EU4Health – një program i ri që synonte të përmirësonte kapacitetin shëndetësor kolektiv të BE-së.
Komisioni do të marrë në konsideratë për një periudhë dymujore programet kombëtare të rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë, që duhet të paraqiten nga secili shtet anëtar. Këshilli Evropian do të votojë më pas propozimin e Komisionit dhe vendimi do të merret nga një shumicë e cilësuar. Në fazën e zbatimit, Komisioni do të vlerësojë nëse janë përmbushur kushtet për disbursim, pas konsultimit me Komitetin Ekonomik dhe Financiar të Unionit (një organ i përbërë nga zyrtarë të nga administratat kombëtare dhe bankat qendrore, BQE dhe Komisioni). (Pika A19).
Për sa i përket buxhetit 2021-2027, ai mbetet i pandryshuar, në një shumë prej 1.074 triliardë euro.
Në samit u vendos një lloj mekanizmi kontrollues për miradministrimin e këtyre fondeve (mekanizëm i cili është relativisht larg mekanizmave kontrollues të vendosur përpara disa vitesh në rastin e Greqisë). Marrëveshja e arritur ishte një përpjekje e fortë që siguron një kohezion të brendshëm të Bashkimit Evropian në këtë periudhë të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, përvoja tregon se arritja e një marrëveshjeje (sado që jo e përsosur) është gati gjithmonë më e mirë se mosarritja e asnjë marrëveshjeje. E megjithatë, ajo që mbetet pas këtyre ditëve negociatash dhe pas arritjes se marrëveshjes është fakti se përpos arritjes së saj, çdo krizë me të cilën përballet Bashkimi Evropian, duket gjithmonë më serioze se kriza paraardhëse dhe përpjekjet duket se janë gjithmonë e më shumë kolosale. Duket se historia e Bashkimit Evropian do të vazhdojë të shkruhet nëpërmjet sakrificave dhe kompromiseve të mëdha. Sfidat duhet të përballohen.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë
"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë