LAJMI I FUNDIT:

Kurti i kërkon Lajçakut ta bindë Serbinë që ta braktis idenë e shkëmbimit të territoreve

Kurti i kërkon Lajçakut ta bindë Serbinë që ta braktis idenë e shkëmbimit të territoreve

Sot pasdite kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka biseduar përmes telefonit me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera regjionale në Ballkanin Perëndimor,  Miroslav Lajçak.

Përmes një komunikate të Qeverisë, thuhet se fillimisht Kurti e informoi Lajçak për situatën me sëmundjen COVID-19 në Republikën e Kosovës, si dhe për masat që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë, e të cilat po respektohen maksimalisht nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi, Lajçak e informoi Kurtin se ai aktualisht është duke analizuar marrëveshjet e deritanishme në mes të Kosovës e të Serbisë, si dhe duke zhvilluar biseda me palët që do të jenë të përfshira në këtë proces.


Kurti tha se Qeveria e Kosovës aktualisht është e fokusuar në luftën kundër COVID- 19, në të cilën luftë tani duhet të jenë bashkë të gjitha partitë politike pozitare e opozitare në Kosovë.

Po ashtu, Kurti kërkoi nga Lajçak që ndërkohë ta bindë palën serbe që ta braktisë idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe të Serbisë.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se do të jenë në kontakt permanent dhe që, sapo të tejkalohet situata me COVID-19, ta nisin dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Telegrafi.