LAJMI I FUNDIT:

​Agim Veliu thotë se s’është njoftuar ende për shkarkim, e quan Kurtin tinëzar e mashtrues

​Agim Veliu thotë se s’është njoftuar ende për shkarkim, e quan Kurtin tinëzar e mashtrues

Agim Veliu e ka quajtur tinëzar e mashtrues kryeministrin Albin Kurti, i cili sot e shkarkoi atë nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Veliu i ka thënë KosovaPress-it se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak rreth shkarkimit të tij.

I pyetur se ka edhe ndonjë mosmarrëveshje tjetër në mes tij dhe shefit të ekzekutivit, apo partnerëve të koalicionit, apo shkarkimi erdhi vetëm për shkak të deklaratave të tij rreth gjendjes së coronavirusit, Veliu tha se për këtë duhet pyetur Kurtin, e të cilin e quajti tinëzar e mashtrues.


“Për atë mund ta pyesni atë tinëzarin që e ka marrë vendimin, atë mashtruesin që e ka marrë vendimin mund ta pyesni”, tha ai.

Veliu, i cili mbrëmë u deklarua se duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të situatës me coronavirus në vend, tha se nuk e përkrah Thaçin por kërkon nga institucionet që të marrin masa ekstreme për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Nuk është çështja e përkrahi zotin Thaçi a nuk e përkrahi, dihen qëndrimet e mia. Unë i përkrahi institucionet e Republikës së Kosovës në këtë situatë, me menaxhu situatën në radhë të parë, nuk kemi kohë me u marrë me çështje të politikave dhe inateve kush kujt po ja mund, ato nuk janë prioritete të mia, nuk është çështja se me kënd unë renditem a me atë a këtë sepse në fund të fundit nuk rendimet me askënd”, tha Veliu.

Tutje, ai ka thënë që deklaratat e tij mbrëmë nuk përhapin panik meqë vetëm ka kërkuar të merren masa në mbrojtje të qytetarëve nga Covid19.

I pyetur se a do të mbledhë LDK, Këshillin e Përgjithshëm për të diskutuar rreth kësaj situate të krijuar me partnerin e koalicionit qeverisës, Veliu tha se këtë e vendos Isa Mustafa.

“Është çështja e kryetarit si e menaxhon punën me partinë, sigurisht kryetari I LDK-së, zoti Isa Mustafa bën ndonjë konsultim me organet e partisë dhe të shohim”, tha Veliu.

Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se e ka shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për siç tha ai, deklarata të dhëna në një televizion mbrëmë ku përkrah shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme duke dalë kështu kundër kryeministrit, i cili kishte deklaruar se nuk ka nevojë për diçka të tillë.

Sipas kryeministrit, përmes deklaratave të tij, Veliu ka përhapur panik të qytetarët.

Ndërkohë, Isa Mustafa ka thënë se vendimi i Kurtit për shkarkim të Veliut është i papranueshëm dhe ka kërkuar nga ai që ta tërheq atë.