LAJMI I FUNDIT:

Krerët e partive politike shqiptare të Maqedonisë urojnë pavarësinë e Kosovës

Krerët e partive politike shqiptare të Maqedonisë urojnë pavarësinë e Kosovës

Kryetarët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut kanë uruar 12 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ata shpresojnë që Kosova do të përparojë në ndërtimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve. Telegrafi Maqedoni më poshtë ju sjell urimet  e tyre me rastin e pavarësisë së Kosovës:

Bilall Kasami:


“Pavarësia e Kosovës shënoi një kapitull të ri për shqiptarët. Pas shumë dekadash vuajtje, trysni dhe luftëra, më 17 Shkurt 2008 Kosova gëzoi pavarësinë dhe u shpall shtet i pavarur dhe sovran, i pranuar nga shumë shtete ndërkombëtarisht. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë por edhe të dhimbshëm, sepse për t’u arritur ky ideal historik,u derdh shumë gjak dhe u shuan shumë jetë. Në emrin tim personal dhe të gjithë aktivistëve të Lëvizjes BESA, më lejoni të uroj 12 vjetorin e pavarësisë, duke shpresuar që Kosova të jetë gjithmonë e qetë dhe stabile, dhe t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit rajonal. Datat e rëndësishme janë pjesë e pa ndarë e jona, sepse të njëjtat na rikujtojnë historinë tonë të lavdishme kombëtare mbi themelet e së cilës duhet të ndërtohet e ardhmja e ndritshme e kombit tonë. Urime Kosovë 12 vjetorin e PAVARËSISË, rrofsh e qofsh”.

Ziadin Sela:

“Pas shumë viteve shtypje, maltretim, sakrificë okupim dhe represion nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shkroi faqen e parë të historisë së saj të re si shtet i pavarur dhe demokratik. Rruga deri te kjo ditë ishte e mbushur me luftë të ashpër e shumë gjak të derdhur; kujtime të hidhura që gjithmonë do të na përcjellin. Por, sot jam i lumtur që festojmë pavarësinë e Kosovës, me shpresë që rruga e shtetndërtimit të saj të shënojë edhe suksese tjera. Urime Kosovë 12 vjetorin e Pavarësisë!”.

Afrim Gashi:

Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran…., me këtë fjali nisi formësimi i shtetit më të ri evropian, 12 vite më parë, që t’i gëzojë anembanë kudo që jetojnë shqiptarët. Amaneti i brezave të mëparshëm do të jetë obligim i ynë që bashkërisht të ndërtojmë shtete ku shqiptarët do të jenë gjithnjë të bashkuar shpirtërisht dhe kulturalisht. Urime Kosovë 12 vjetorin e pavarësisë!”.

Vesel Memedi:

“Në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, shpreh urimet më të ngrohta për popullin e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi që festojnë këtë ditë monumentale, ditën e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është shtet i ri, por ky vend ka një histori të paharrueshme dhe vazhdon të ngeli gjallë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve kudo qofshin. Ky është vend i një sakrifice të madhe, në këtë vend e dhanë jetën shumë njerëz që luftuan për liri, në këtë vend janë burgosur shumë njerëz që luftuan për liri, në këtë vend lindën njerëz me arritje të mëdha profesionale, dhe gjith këta njerëz nuk kërkuan asgjë tjetër përpos të shohin liri në gjeneratat e sodit dhe atyre që do të vijnë në të ardhmen. Të arriturat e Republikës së Kosovës që festohen sot, qëndrojnë mbi supet e gjithë këtyre njerëzve. Kosova ka dhënë një kontribut të madh jo vetëm për shqiptarët që jetojnë brenda vet shtetit, por edhe shqiptarëve anembanë botës për zhvillimin e tyre kulturor, demokratik dhe ekonomik. Për shkak të kësaj sakrifice të përmasave të mëdha brenda dhe jashtë shtetit, liderët e shtetit të Kosovës duhet të bëjnë ç’mos që ky vend i sakrificës të tregojë urtësi të lartë udhëheqie, me qëllim të ballafaqimit sa më të mirë me sfidat e kohës që e presin vendin dhe rajonin në përgjithësi. Nuk ka dilemë se liderët e Kosovës kanë kapacitet të mjaftueshëm të ballafaqohen me sfidën e radhës të ballafaqimit me të vërtetën, një sfidë që duhet ta tejkaloj jo vetëm shteti i Kosovës, por i tërë rajoni i Ballkanit perëndimorë. Për hir të një sakrifice shekullore, duhet bërë ç’mos që të krijohen kushte sa më të mira për gjith popullin e Kosovës, dhe ne besojmë se e vërteta do ta çlirojë Kosovën përfundimisht. Qofshi gjithmonë të pavarur Kosovë. Zoti e mbusht këtë ditë për ju dhe për ne me shpirt patriotik. Më lejoni t’ju uroj dhe dëshiroj edhe shumë përvjetorë të tjerë në liri, paqe dhe prosperitet.Gëzuar dymbëdhjetë vjetorin Republika e Kosovës”.

Menduh Thaçi:

“Në këtë datë historike, gëzohemi për Kosovën që feston përvjetorin e dymbëdhjetë si shtet i pavarur, me ç’rast, urojmë që Republika e Kosovës të përparojë drejt mirëqenies së përgjithshme dhe integrimit të plotë euroatlantik. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, në këtë përvjetor të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, t’ju dërgoj juve dhe popullit të Kosovës urimet më të përzemërta me shpresë e besim të plotë për një të ardhme më të ndritshme për të gjithë shqiptarët”.

Ali Ahmeti:

“Sot, në këtë përvjetor, me nostalgji i rikthehem idealit të një jete të tërë kushtuar kombit, Kosovës, lirisë. Sa shokë tanë ranë ndër vite dhe nuk e arritën ta përjetojnë atë për të cilën u flijuan, Kosovën shtet, sot i kujtoj me mall e me respekt të gjithë, lavdi të gjithë të rënëve për liri, më të mirëve të kombit! Gëzuar Kosovë nga biri yt, Abazi!”./Telegrafi/