LAJMI I FUNDIT:

Beteja për Britaninë

Beteja për Britaninë

Fushata Brexit është faturuar si një përpjekje për të “rimarrë kontrollin” duke i rikthyer “sovranitetin” Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Për këtë arsye, është tepër ironike që një nga lëvizjet e para të mbështetësve të Brexit pas ardhjes në pushtet ka qenë të pezullonin Parlamentin dhe të mbyllnin debatin mbi tërheqjen e afërt të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Duke shpërfillur vullnetin e Parlamentit, ku një shumicë deputetësh janë kundër një skenari “pa marrëveshje”, kryeministri britanik Boris Johnson tani po manovron të kapë votat e Partisë Euroskeptike Brexit, në mënyrë që të mund të përmbyllë me çdo kusht një Brexit. Për këtë qëllim, ai ka sanksionuar një luftë të gjithanshme politike që kërcënon të dëmtojë demokracinë parlamentare britanike në një plan afatgjatë.

Kriza politike thelluese e Britanisë është pjesërisht rezultat i dështimit të Parlamentit për të ratifikuar marrëveshjen e Brexit të negociuar nga paraardhësja e Johnson, Theresa May, dhe Bashkimi Evropian. Mungesa e një kushtetute të kodifikuar, e kombinuar me një nivel polarizimi politik që tani rivalizon atë të Shteteve të Bashkuara, e bën të vështirë parashikimin e rezultateve të mundshme të situatës aktuale. Kushdo që ju thotë se si do të përfundojë kjo po ju gënjen, sepse askush nuk mund ta dijë. Britania po përballet me një gjendje pasigurie permanente dhe kjo në vetvete është destabilizuese për çdo vend.


Ndërsa mjegulla politike trashet dhe ora për negociata afron, është e lehtë të harrosh një fakt të rëndësishëm. Që nga referendumi i Brexit-it në qershor 2016, si nën qeverisjen e May ashtu edhe nën atë të Johnson, ka pasur një mungesë të jashtëzakonshme të një debati serioz në Mbretërinë e Bashkuar për atë që kërkon ky vendim. Liderët e vendit kanë ngurruar shumë të marrim vendime me ndikim të gjerë politik që do të kërkojë Brexit-in.

Por, mos u gaboni. Largimi nga BE-ja do ta detyrojë Britaninë të përballet me vendime shumë më të ashpra nga ç‘mund të jetë menduar ndonjëherë. A dëshirojnë britanikët të braktisin standardet evropiane përsa i takon ushqimeve, mjekësisë, mirëqenies së kafshëve dhe çështje të tjera të panumërta rregullatore në favor të një modeli rregullator amerikan? Askush nuk e di këtë dhe as nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë debat të vërtetë në lidhje me kostot dhe përfitimet e largimit nga BE-ja.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur veten “Njeriu i tarifave” dhe vendosi taksa importi edhe për mallrat nga aleatët dhe kundërshtarët e SHBA-së. A janë britanikët, të cilët kanë mbrojtur prej kohësh tregtinë e lirë, të gatshëm të hyjnë në marrëdhënie me proteksionistin kryesor të botës? Duke i ardhur rrotull Trumpit dhe duke ndjekur një marrëveshje të shpejtë tregtare me Shtetet e Bashkuara, qeveria e Johnsonit thjesht po supozon se populli britanik mbështet një rikonstruksion dramatik nga sfera rregullatore e BE-së. Brenda BE-së, Britania ka një vend të spikatur në tryezë dhe ka të drejtë fjale kur vjen puna te rregullat që përcaktohen. Duke u afruar më shumë me Shtetet e Bashkuara, vendi do të gëlltisë çdo gjë që thotë dhe vendos Trumpi.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se kjo nuk është ajo që dëshiron publiku në Mbretërinë e Bashkuar. Kur u pyetën se kë do të donin të kishin më shumë si partner të ngushtë tregtar, 50 për qind zgjedhin BE-në, dhe vetëm 21 për qind zgjedhin SHBA-në. Midis të rinjve, rezultatet janë edhe më të habitshme, me 58 për qind që zgjedhin BE-në dhe vetëm 14 për qind preferojnë SHBA-në.

Trumpi pretendon se e dashuron Mbretërinë e Bashkuar dhe “Trumpin britanik” (mënyra sesi ai i drejtohet Boris Johnsonit), por kjo mund të ndryshojë lehtësisht. Në fund të fundit, mendimi i tij për liderët dhe aleatët e huaj ndryshon si era. Nën një Brexit pa marrëveshje, Britania do ta gjejë veten papritmas e varur nga mirësia e presidentit të çuditshëm të Amerikës dhe do të përballet me sfida ekzistenciale ndaj unionit të Skocisë, Irlandës së Veriut, Uellsit dhe Anglisë.

Por, një skenar pa marrëveshje nuk është i pashmangshëm. Marrëveshja që May negocioi mund të sigurojë një marrëdhënie të ngushtë në të ardhmen midis Britanisë dhe BE-së. Kjo marrëveshje, të cilën edhe vetë Johnson e votoi, është ende në pritje të ratifikohet.

Ndërsa, mbetet akoma hapësirë për ta përmirësuar atë marrëveshje për ta bërë më normative, përfundimi është se ajo tashmë ofron një bazë të shëndoshë për përfundimin e një marrëveshje të ngushtë asociimi Mbretëri e Bashkuar-BE në të ardhmen. Në mënyrë të veçantë, marrëveshja e largimit parashikon krijimin e një komiteti të përbashkët që përfshin përfaqësues të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, i cili më pas do të shërbente si një mjet për bashkëpunimin e ardhshëm. Në morinë e gënjeshtrave dhe dezinformatave që kanë shoqëruar debatin Brexit, mundësitë e parashikuara nga kjo dispozitë e marrëveshjes së daljes nuk janë diskutuar aspak.

Mjerisht, kjo nuk është aspak surprizuese. Projekti Brexit ka qenë jo koherent që nga fillimi. Si fillim, Mbretëria e Bashkuar nuk e humbi kurrë “kontrollin” dhe në një botë të mbizotëruar nga rivaliteti midis superfuqive Kinë-Amerikë, e vetmja rrugë që i mbetet fuqive evropiane të madhësisë së mesme për të mbrojtur sovranitetin e tyre është formimi i një fronti të bashkuar.

Pandershmëria e Johnsonit për zgjedhjet e vendit ka qenë mjaftueshëm e keqe, por tani ai po përpiqet të mbyllë debatin demokratik për të arritur një fund politik. Nuk është tepër vonë që politikanët britanikë, madje edhe për vetë Johnsonin, t’i japin fund lojërave dhe të shpjegojnë kompromiset me të cilat përballet vendi.

Vetëm nëpërmjet një lidershipi të ndershëm dhe të përgjegjshëm Britani mund të ketë më në fund një debat të vërtetë për vendin e saj në botë. Cilido qoftë rezultati i negociatave midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, Brexit është thjesht fillimi i një procesi shumë më të gjatë. Beteja për shpirtin e Britanisë sapo ka filluar, por mbetet ende në dyshim nëse kjo betejë do të luftohet në mënyrë të drejtë. /Project Syndicate/BIRN/