LAJMI I FUNDIT:

Ministri Shala: Çdo investim nga Turqia është i mirëseardhur

Ministri Shala: Çdo investim nga Turqia është i mirëseardhur

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, me të cilin biseduan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve.

Shala tha se MTI është bartëse e zbatimit të Ligjit për Investime Strategjike, duke theksuar se ky Ligj krijon shumë lehtësira për investitorët potencialë.

“Kemi disa kompani turke që janë të interesuara për të investuar në Kosovë në fushën e energjisë së ripërtërirë dhe për Republikën e Kosovës çdo investim nga shteti i Turqisë është i mirëseardhur. Dua t’iu garantoj për përkushtimin tim që investitorët nga Turqia do t’i kenë të gjitha lehtësirat që ligji i mundëson”, tha ministri Shala.


Ai theksoi se për Kosovën është e rëndësishme bashkëpunimi me Turqinë, duke shtuar se shumë kompani turke kanë investuar në Kosovë dhe janë treguar të suksesshme.

Ndërsa, ambasadori Sakar, theksoi se Kosova është vend i rëndësishëm dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

“Dëshiroj të theksoi se për ne është e rëndësishme thellimi i bashkëpunimit dhe besoj që MTI luan një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim”, tha ambasadori turk në Kosovë, Çagri Sakar. /Telegrafi/