LAJMI I FUNDIT:

Osmani optimist për nisjen e bisedimeve me BE-në

Osmani optimist për nisjen e bisedimeve me BE-në

Siç raportojnë nga AIM, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot në Bruksel tha se nuk sheh argumente nga vendet anëtare që do të mund ta bllokonin datën e bisedimeve me Maqedoninë.

Osmani ishte i ftuar të mbaj fjalim në Qendrën Evropiane për Politike për përparimin e Maqedonisë drejt BE-së. Ai sot u takua me përfaqësues të vendeve anëtare, me eurokomisarin Johahnes Hahn dhe me shefen e diplomacisë Federica Mogherini, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Osmani tha se “do të jetë e vështirë të gjenden argumente për t’u bllokuar vendi, që kur arriti marrëveshjen historike me Greqinë dhe bëri gjithçka çfarë kërkohej” në kontekst të procesit të reformave dhe tre kushtet e vendosura vjet nga Këshilli.


Sipas Osmanit, nëse vendimi në qershor është negativ, pasojat do të ishin “katastrofale” si në plan të brendshëm, ashtu edhe në kuadër të rajonit.

“Me vite të tëra ju themi qytetarëve se emri është çështja që na bllokon. Nëse nuk ka bisedime, s’do ketë vullnet për reformat”, theksoi Osmani.

Pasojat do të ishin edhe për fqinjësinë, vlerëson ai. Pse ndonjë vend do të pranonte të hyjë në kompromise të vështira, nëse në fund lihet e vetme?, pyeti Osmani, duke aluduar në kontestin midis Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministri rikujtoi se Maqedonia e mbështet hapjen e bisedimeve me Shqipërinë në të njëjtën kohë dhe se të dyja vendet duhet të ecin para, por se duhet të respektohet parimi i meritave individuale.

“Do të ishte katastrofale nëse Maqedonia e Veriut do të refuzohet pas gjithë atyre kompromiseve që i bëri, asnjë vend nuk duhet të jetë dëm kolateral”, shtoi Osmani./Telegrafi/