LAJMI I FUNDIT:

Alibeaj: Rama kthen në poste drejtues ish-sigurimet e diktaturës

Alibeaj: Rama kthen në poste drejtues ish-sigurimet e diktaturës

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Enkelejd Alibeaj ka denoncuar emërimin në poste të larta drejtuese në Shërbimin Informativ Shtetëror, të nëntë personave, të cilët kanë qenë pjesë të Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës.

Sipas PD këto emërime janë bërë pas ardhjes në krye të SHISH të Helidon Bendos, të cilin e cilësoi njeriun e besuar të Edi Ramës.

“Pasi mori në qeveri të gjithë pasardhësit e Byrosë Politike, miq të afërt të tij, Edi Rama riktheu në poste të rëndësishme drejtues të Sigurimit të Shtetit”, tha Alibeaj.


EMRAT:
1- Rafail Milo: ish oficer i Sigurimit të Shtetit. Nga inspektor, ai emërohet Drejtor i Departamentit të Administratës në SHISH. Ka në varësi Drejtorinë Juridike dhe atë Ekonomike.

2- Qerim Dedja: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor emërohet drejtor i Drejtorisë së Sigurisë

3- Mevlud Matraku: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, punëtor operativ, kryesisht në Sarandë. Nga inspektor, është emëruar Drejtor i Performancës. Bën vlerësimin e të gjitha drejtorive të linjës informative operative.

4- Vladimir Elezi: ish punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit është emëruar Drejtor në SHISH në Elbasan.

5- Gëzim Bime: ish oficer i Sigurimit të Shtetit nga inspektor, emërohet Drejtor kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (drejtori e rëndësishme në punën operative)

6- Ilir Tafa: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH, në Durrës. Vëllai i tij është Afrim Tafa, ish Drejtor Policie, i cili është në listat e punonjësve të policisë, i implikuar në trafikun e drogës.

7- Sokrat Mite: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet zëvendësdrejtor i Departamentit të Kundërzbulimit.

8- Agim Karralli: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH Tiranë.

9- Rinald Serhani: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor në SHISH.

Sipas Partisë Demokratike, për dy emrat e parë “Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dokumentacion të mjafteshëm që i bën ata të papërshtatshëm për promovimin në detyrë, ndërsa për 7 të të tjerët, ka prova të qarta në dojet e tyre personale në SHiSH se kanë qenë oficerë të shërbimit sekret të diktaturës”. /TCH/Telegrafi/