LAJMI I FUNDIT:

“Llamkos” në falimentim, punëtorët kërkojnë 10 pagat e mbetura borxh

“Llamkos” në falimentim, punëtorët kërkojnë 10 pagat e mbetura borxh

Më shumë se 750 mijë euro vlerësohen të jenë obligimet e papaguara vetëm ndaj punëtorëve të ndërmarrjes së llamarinës “Llamkos” nga kompania private që kishte blerë atë.

Kjo fabrikë ishte privatizuar dy herë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse tashme gjendet në proces të falimentimit për shkak të obligimeve të mëdha që ka ndaj kreditorëve të ndryshëm.

Rreth 500 punëtorë të cilët kanë mbetur pa punë tash e katë vjet, pretendojnë të jenë kreditorë, pasi menaxhmenti i kompanisë u ka mbetur borxh 10 paga ose në total 750 mijë euro.


Enver Isufi, anëtar i Sindikatës se Punëtorëve të kësaj kompanie ka treguar për Radion Evropa e Lirë, se punëtorët dëshirojnë që të riaktivizohet kompania dhe të kthehet në prodhim, por në pamundësi që kjo të ndodhë, ata kërkojnë pagesën e pagave të mbetura borxh.

“Kompania u ka mbetur borxh punëtorëve, por edhe shumë kreditorëve të tjerë. Kështu që, përmes Gjykatës është kërkuar që të shitet apo privatizohet “Llamkosi” që të paguhen borxhet ndaj kreditorëve, në mesin e të cilëve janë edhe punëtorët. Mirëpo punëtorët kanë kërkuar riorganizimin e fabrikës, që të vjen ndonjë kompani që është në interes të saj, që edhe punëtorët të vazhdojnë punën”, ka thënë Isufi.

Fabrika Llamkos, gjendet në Vushtrri. Ajo është e destinuar për përpunimin e llamarinës dhe ishte privatizuar në vitin 2005 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit më metodën e Spin-off-it special.

Kjo metodë e privatizimit është aplikuar për ndërmarrjet të cilat janë konsideruar më të mëdha se blerësi. Si rrjedhojë, blerësi nuk ka të drejtë t’ua ndërrojë destinimin, gjithashtu duhet të punësojë një numër të caktuar të punëtorëve dhe të realizojë investime të reja.

Në vitin 2009, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte bërë tërheqjen e aksioneve nga blerësi për shkak të mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale.

Përpjekja tjetër ishte realizuar në vitin 2011, kur kjo ndërmarrje ishte blerë nga një kompani angleze “Coresteel” Sh.p.k.

Në atë periudhë blerësi kishte marrë obligim për të investuar një shumë prej 100 milionë euro brenda pesë vitesh si dhe për punësimin e 1861 punëtorëve. Mirëpo, blerësi sipas raporteve të monitorimit dhe të auditorëve të jashtëm, nuk përmbushi zotimet dhe AKP në përputhje me kontratën e shitblerjes kishte aplikuar ndëshkimet financiare për çdo muaj pas shkeljeve të kushteve të kontratës që janë bërë nga ana e tij.

Për fazën e parë janë shqiptuar dhe u janë dërguar blerësit gjoba në shumën prej mbi 1 milionë e 700 mijë euro.

Si rrjedhojë, që nga viti 2015 kjo ndërmarrje është në procedurë të falimentimit.

Ylli Kaloshi zëdhënës në AKP, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se falimentimi i ndërmarrjes është bërë me kërkesë të Kreditorit “Standard Bank” PLC, me seli në Mbretërinë e Bashkuar për borxhin që “Coresteel” Sh.p.k. pretendohet se ka ndaj kësaj banke. Kompania “Costereel” kishte vënë në hipotekë të gjitha pronat e “Llamkos”-it pa dijeninë e AKP-së.

Industria e rëndë në Kosovë, e papërdorshme

Në këtë procedurë të falimentimit edhe AKP është paraqitur si kreditor i kompanisë “Coresteel” për shkak të borxheve që kjo kompani ka për pagesën e ndëshkimeve të shqiptuara nga AKP-ja për mospërmbushjen e zotimeve për investime në Llamkos.

Në anën tjetër, Virtyt Ibrahimaga, administrator i “Llamkos”-it, i caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, thotë se aktualisht gjykata është duke i shqyrtuar kërkesat e kreditorëve dhe shpejtë pritet që të kompania të kalojë në proces të likuidimit dhe më pas punëtorët dhe kreditorët tjerë të marrin paratë e tyre.

Ibrahimaga tregon se borxhi i përgjithshëm i kompanisë “Coresteel” ndaj kreditorëve përfshirë edhe punëtorët është mbi katër milionë euro.

“Aseti përmes likuidimit do të vihet në shitje dhe nga mjetet e shitjes do të paguhen punëtorët. Procesi i likuidimit dhe shitjes nuk do të merr shumë kohë”, ka thënë Ibrahimaga.

Ndërmarrja Llamkos prodhon llamarinë të zinkuar si dhe produktet tjera nga llamarina. Fabrika është projektuar që të prodhojë mbi 120,000 ton të llamarinës se zinkuar për vit.

Në trend Lajme

Më shumë
Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Lajme
Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person

Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person

Kronika e Zezë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
McKee: Nuk pres që SHBA-ja të ndryshojë qasje ndaj partnerëve evropianë, përfshirë Kosovën

McKee: Nuk pres që SHBA-ja të ndryshojë qasje ndaj partnerëve evropianë, përfshirë Kosovën

Lajme
Në 24-vjetorin e vrasjes, shpaloset portreti përkujtimor i Xhemail Mustafës në selinë e LDK-së

Në 24-vjetorin e vrasjes, shpaloset portreti përkujtimor i Xhemail Mustafës në selinë e LDK-së

Lajme
Miratimi i buxhetit të shtetit për vitin 2025, Tahiri: Janë nxjerr në pah tri probleme të mëdha të këtij modeli të dështuar qeverisës të Kurtit

Miratimi i buxhetit të shtetit për vitin 2025, Tahiri: Janë nxjerr në pah tri probleme të mëdha të këtij modeli të dështuar qeverisës të Kurtit

Lajme
Kalo në kategori