LAJMI I FUNDIT:

Daçiq tregon si do të veprojë Serbia në rast të ndonjë sulmi në veri

Daçiq tregon si do të veprojë Serbia në rast të ndonjë sulmi në veri

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, deklaroi sot se vendi i tij nuk do të njohë shtetin e Kosovës, por janë të gatshëm të bisedojnë për kompromis.

I pyetur nëse korrigjimi i kufijve është fjala e dytë për kompromis, Daçiq tha se kjo nuk duhet të jetë, edhe pse sipas tij, pavarësisht kundërshtimit të palës gjermane, rrëfimi për korrigjimin e kufijve ende nuk ka përfunduar.

“Ne nuk e njohim aktin e njëanshëm të Prishtinës në shpalljen e pavarësisë, por jemi të gatshëm të diskutojmë kompromisin dhe nëse është në interesin e përbashkët dhe reciprokisht të pranueshme jemi gati ta pranojmë”, tha kryediplomati serb në një emision televiziv serb.


Daçiq përsëriti se iniciativa për korrigjim kufijsh është sfiduar si në Serbi po ashtu edhe në Kosovë, dhe se nuk ka asnjë propozim tjetër. “Nga një aspekt mund të duket se konflikti i ngrirë është një zgjidhje më e mirë për Serbinë, veçanërisht pasi vendet e tjera mund të tërheqin njohjen e Kosovës, kështu që në fund ajo do të bjerë nën gjysmën e anëtarëve të OKB-së”, tha ai.

Daçiq thotë se megjithatë do të kishte më shumë rrezik në këtë rast. E para, sipas tij, do të jetë rreziku i një sulmi të armatosur në veri të Kosovës, si në rastin e “Stuhia” në Kroaci.

“Në atë rast, Serbia ka vetëm dy mundësi – të hyjë në konflikt ose ta lërë mënjanë, siç ishte në kohën e Kninit”, shprehet Daçiq. Sipas tij, në rast të hyrjes së Serbisë në konflikt kjo do të nënkuptojë edhe konflikt me KFOR-in, gjë e cila e komplikon pozitën. Ndërsa rreziku i dytë, sipas tij, në rast të konfliktit të ngrirë, do të ishte se me këtë do të ngrihej edhe rruga evropiane e Serbisë. /kp/Telegrafi/