LAJMI I FUNDIT:

Sot vazhdon gjykimi për lëndën “Monstra”

Sot vazhdon gjykimi për lëndën “Monstra”

Në Gjykatën Penale në Shkup sot do të vazhdojë gjykimi për rastin “Monstra” të Prokurorisë Speciale, e cila ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë më 12 prill të vitit 2012 në Liqenin e Smillkovës.

Seanca e fundit u anulua për shkak të sëmundjes së gjykatësit Osman Shabani, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në seancat paraprake janë parë inçizimet (video) nga marrja në pyetje e dëshmitarit të mbrojtur Haki Aziri më 7 maj 2012, nga ana e gjykatësit hetues dhe prokurorit në Gjykatën Penale.


Para gjykatës ka dëshmuar edhe dëshmitari Sasho Llazarevski, i cili është fqinj i njërit nga të vrarët në këtë rast.

Lënda “Monstra” është hapur për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, që ndodhi më 12 prill 2012, ndërsa me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afri dhe Agim Ismailloviq, Ezmi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit të kaluar shfuqizoi aktgjykimet dhe liroi nga burgu Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe ju vendosi vetëm masa përkujdesi. Ndërsa Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, akoma janë të pakapshëm për gjykatën dhe për ta është lëshuar fletarrest ndërkombëtar./Telegrafi/