LAJMI I FUNDIT:

Bursa jashtë vendit dhe qasje të lehtë punësimi për studentët e programit të ri të Fakultetit Ekonomik

Bursa jashtë vendit dhe qasje të lehtë punësimi për studentët e programit të ri të Fakultetit Ekonomik

Ndonëse periudha para aplikimit për t’u regjistruar në fakultet është më e vështira për studentët, Universiteti i Prishtinës e ka lehtësuar këtë proces për studentët të cilët duan diçka më ndryshe.

Tash e tri vjet Fakulteti Ekonomik ofron programin “Applied Economics and Management”, një program në gjuhën angleze për njohjen me studime themelore në ekonomi dhe menaxhment.

Ky program synon që t’i përgatis studentët jo vetëm për tregun vendor të punës, por edhe për Zonën Evropiane të Edukimit të Lartë, pjesë e së cilës është edhe Kosova, shkruan Telegrafi.


Duke marrë parasysh se programi studimor është në gjuhën angleze, në këtë drejtim ligjërojnë profesorët më të mirë në edukim, të cilët e njohin anglishten akademike.

Programi studimor është në fushën e Ekonomisë së Aplikuar dhe Menaxhmentit, dhe është i njëjtë me atë të Universitetit Johannes Kepler në Austri.

Studentëve me nota të mira të këtij drejtimi iu mundësohet një mobilitet ndërkombëtar, ku shumë prej studentëve akutalë kanë studiuar për një semestër në universitetet partnere në vende të ndryshme të botës, siç është Finlanda, Polonia, Franca, etj.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. But Dedaj tregon se Fakulteti Ekonomik edhe këtë vit i mirëpret kandidatët e rinj që aplikojnë për regjistrim, ndërsa ndihet i kënaqur që këtë vit po regjistrohet gjenerata e katërt me radhë e studentëve në programin “Applied Economics and Management”.

“Ky është programi i vetëm që ofrohet në gjuhën angleze në institucionet publike në Kosovë dhe regjion. Është program krejtësisht i ngjashëm me atë të Universitetit të Linzit dhe studentët që regjistrohen në këtë program kanë përparësi për shkak të literaturës dhe ligjërimit tërësisht në gjuhën angleze. Përveç kësaj, studentët e këtij programi kanë mundësi të shumta të shfrytëzimit të projekteve që mbështesin mobilitetin e studentëve, e gjithashtu, pasi t’i përfundojnë studimet, e kanë shumë të lehtë ta vazhdojnë rrugëtimin akademik në universitetet perëndimore”.

Deri më tani në këtë program kanë studiuar rreth 100 studentë, ndërsa përparësia e këtij programi është numri i vogël i studentëve, ku pranohen rreth 50 studentë secilin vit.

Universiteti i Prishtinës hapë të hënën konkursin për studentë të rinj
Lexo po ashtu Universiteti i Prishtinës hapë të hënën konkursin për studentë të rinj

Mrika Mulliqi, studente e dalluar vitit të dytë në “Applied Economics and Management”, është tejet e kënaqur me përvojën e saj.

“Ndihem vërtet e kënaqur. Ky është një program fantastik dhe më ka ndihmuar tej mase të zhvillohem në mënyrë akademike dhe profesionale. Ndër tjerash, përparësitë e të studiuarit dhe zhvilluarit personal në këtë program janë të mëdha, e posaçërisht për studime jashtë vendit. Për shkak të angazhimit tim dhe punës së palodhshme, unë kam fituar mundësinë që semestrin e ardhshëm studimet t’i vijoj në ‘Masaryk University’ në Çeki”.

Përndryshe, studentët të cilët i kryejnë studimet në këtë program kanë përparësi edhe gjatë studimeve Master, pasi që nuk iu kërkohen teste të gjuhës angleze nga universitetet ndërkombëtare.

Për më shumë informata rreth studimeve në këtë program, klikoni KËTU. /Telegrafi/