LAJMI I FUNDIT:

Ismajli: Nëse nuk ka pako stimuluese, së shpejti mund të mbetemi pa mjekë

Ismajli: Nëse nuk ka pako stimuluese, së shpejti mund të mbetemi pa mjekë
Uran Ismaili (Foto: Telegrafi)

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë sot se Kosova ka numrin më të vogël të mjekëve për kokë banori.

Ismaili në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se me Ligjin për pagat dhe me reformat në shëndetësi duhet që mjekët dhe punëtorët shëndetësorë të marrin pagën për punën që bëjnë, pasi sipas tij, nëse nuk do të ketë pako stimuluese do të jemi në një periudhë ku s’do të ketë mjekë të mjaftueshëm.

“Punëtorët shëndetësor duhet të konsiderohen edhe në nivelin e politikave nacionale. Sot mjekët lëvizin nga Kosova… Kosova ka numrin  më të vogël të mjekëve për kokë banori. Nëse nuk kemi pako stimuluese do të paraqitemi në një kohë ku s’do të kemi mjekë  për punësime. Ky është realitet që ndodh në gjithë Evropën, por posaçërisht na godet neve shumë.  Andaj konsideroj se duhet pasur parasysh që reforma në shëndetësi doemos e ka idenë që mjekët dhe punëtorët shëndetësore të marrin pagë për atë që e bëjnë punën”, u shpreh ministri.


Ai tha se me Ligjin e pagave ka mundësi të korrigjohet pabarazia për disa persona me shkathtësi e shkollim të caktuar e që nuk janë paguar krahas edukimit e punës.

Ismaili tha se nëse tentohet të bëhet nivelizimi i pagave, nuk do të thotë se duhet të nivelizohen të gjithë.

“Të nivelizohen ata që kanë mbetur prapa, e  jo gjithsesi të krijojmë favore për të gjithë sektorët për shkak të lobimit…”, tha ai. /Telegrafi/

Foto: Arkiv