LAJMI I FUNDIT:

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama qëndroi për vizitë zyrtare në Turqi

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama qëndroi për vizitë zyrtare në Turqi

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të komandantit të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, gjeneralit Hulusi Akar, nga data 01-05 korrik 2018, qëndroi për vizitë zyrtare në Turqi.

“Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama është pritur nga komandanti i Forcave të Armatosura të Turqisë, gjenerali Hulusi Akar, ku të dy gjeneralët gjatë takimit kanë biseduar për bashkëpunimin e deritashëm si dhe për mundësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi në të ardhmen edhe në fushat tjera, si: shkollimit, edukimit dhe stërvitjeve, e që janë me interes të përbashkët.

Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, pasi e ka falënderuar komandantin e Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneralin Akar, për mbështetjen e vazhdueshme të Ushtrisë së Turqisë në trajnimin dhe avancimin e FSK-së, si një forcë kredibile, gjithëpërfshirëse dhe të gatshme, si dhe për shkollimin e kadetëve në akademitë dhe shkollat ushtarake të Turqisë, e ka njoftuar edhe me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, si; shkollimet, trajnimet dhe bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin për media.


Komandanti i FSK-së, gjatë qëndrimit në Turqi, realizoi vizitë zyrtare edhe në Universitetin e Mbrojtjes së Turqisë, ku është pritur nga stafi i larte i këtij institucioni ushtarak. Gjenerali Rrahman Rama ka biseduar me udhëheqësit e Universitetit të Mbrojtjes për mundësinë e shkollimit dhe edukimit të pjesëtarëve të FSK-së, në këtë institucion ushtarak në të ardhmen, ku një numër i madh i pjesëtarëve të FSK-së, kanë diplomuar në këtë institucion ushtarak.

Gjatë takimit u tha se bashkëpunimi i FSK-së me Forcat e Armatosura të Turqisë është shumë i mirë dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke përfshirë edhe fushat tjera që janë me interes të përgjithshëm për të dyja palët. Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, sot pritet ta përfundojë vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë. /Telegrafi/