LAJMI I FUNDIT:

Hoxha: Nuk mund të ecet përpara pa e luftuar korrupsionin

Hoxha: Nuk mund të ecet përpara pa e luftuar korrupsionin

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë takimit ministror në Vjenë, ka takuar sekretaren e shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme, Karoline Edtstadler, me të cilën diskutoi për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, çështjen e sigurisë dhe bashkëpunimin fqinjësor në kuadër të procesit integrues.

Hoxha ka siguruar sekretaren e shtetit se reformat që po ndërmerren janë në funksion të Agjendës së Reformave Evropiane, ku në fokus janë fuqizimi i sundimit të ligjit dhe reformat ekonomike.

“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, është prioritet i aktiviteteve tona shtetërore, kemi suksese dhe presim vlerësim pozitiv për liberalizimin e vizave. Luftimi i korrupsionit nuk përfundon me kaq, sepse një vend nuk mund të ecë përpara pa luftuar me vendosmëri këtë dukuri të shëmtuar”, tha Hoxha.


Përveç përkrahjes për procesin e liberalizimit të vizave, ministrja Hoxha kërkoi mbështetjen e Austrisë edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Edstadler ka theksuar se po i përcjellin me vëmendje veprimet e Republikës së Kosovës në këtë fushë, dhe është me rëndësi që kjo çështje të luftohet në vazhdimësi në të gjitha nivelet e institucioneve, me theks të veçantë kur rrezikohet siguria dhe paqja.

Ajo ka diskutuar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, duke theksuar se Kosova është duke ecur rrugës së duhur në këto procese dhe ofroi mbështetje për këtë./Telegrafi/