LAJMI I FUNDIT:

Hoxha me studentët: Sivjet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës

Hoxha me studentët: Sivjet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës

Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, ka organizuar një bashkëbisedim me studentë, me temën “Çka nënkupton integrimi evropian për të rinjtë e Kosovës”, ku të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, përfaqësuesja e BE-së, Nataliya Apostolova.

“Sot kam kënaqësinë të jem në mesin tuaj dhe sot do të diskutojmë për sfidat, përgjegjësitë dhe pritjet që i kemi ndaj procesit të integrimit evropian. Sot me ne janë edhe Kryetari i Kuvendit z.Veseli dhe Kryeministri i Kosovës, z.Haradinaj, dhe përfaqësuesja e BE-së, znj. Apostolova, bartës të përgjegjësive më të larta për të ardhmen evropiane të Kosovës”, theksoi Hoxha, duke vënë në pah se megjithëse jemi shumë afër ne ende nuk gëzojmë të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së.


Hoxha theksoi se presin që brenda këtij viti të marrin rekomandimin dhe të fillojë lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës.


“Përpos zbatimit të kritereve të MSA-së dhe liberalizimit të vizave, ne jemi duke koordinuar edhe zbatimin e MSA-së dhe të kritereve të Agjendës Evropiane të reformave të cilat tash e një kohë janë duke u zbatuar. Sa më shpejtë që i përmbushim kriteret e kërkuara, aq më shumë forcohet vendi ynë, më shumë zhvillohet dhe më shumë i afrohet anëtarësimit në BE. Pra, angazhimi ynë është çelësi kryesor që të zëmë hapin me vendet tjera të Ballkanit”, theksoi Hoxha.

Në fund, Veseli, Haradinaj, Apostolova dhe Hoxha, iu përgjigjen studentëve të cilët parashtruan pyetje që kryesisht fokusoheshin në të drejtën e studimit, lëvizjen e lirë dhe procesin integrues. /Telegrafi/