LAJMI I FUNDIT:

Korrupsioni rrezikon liberalizimin e vizave

Korrupsioni rrezikon liberalizimin e vizave

Pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës, një kriter tjetër që mbetet i përhershëm për liberalizimin e vizave është ai luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përderisa zyrtarë të Qeverisë thonë se do të dëshmohet se Kosova ka rezultate konkrete që tregojnë për luftimin e korrupsionit, përfaqësues të shoqërisë civile mendojnë se ky kriter do të jetë mjaft vështirë të plotësohet dhe si i tillë edhe do të paraqitet problem për liberalizimin e vizave.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tashmë është shënuar progres në këtë çështje dhe se ky përparim, sipas tij, do të merret parasysh nga Komisioni Evropian në rekomandimin për liberalizimin e vizave.


“Janë gjithsej 39 raste, të cilat Bashkimi Evropian i përcjell nga afër, përkatësisht progresin që jemi duke e arritur në këto raste. Konsideroj se jemi duke bërë progres dhe nuk do të ndalemi, do t’i japim mbështetjen e nevojshme edhe Prokurorisë, edhe gjyqtarëve që të arrijnë ta përmbyllin këtë proces me sukses dhe mos të jetë problem për liberalizimin e vizave”, thotë Tahiri.

Në kuadër të shtimit të aktiviteteve për përmbushjen e këtij kriteri, Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe Strategjinë kundër korrupsionit dhe planin e veprimit 2018-2022.

Përmirësimi i politikave, përkatësisht zbatimi më efektiv i tyre dhe qeverisja e mirë, janë dy kushtet kryesore për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Strategjia është ndarë në katër sektorë, ku bëjnë pjesë, sektori politik publik, administrata publike, zbatimi i ligjit dhe gjyqësori, si dhe prokurimi publik dhe menaxhimi i financave publike.

Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, dyshon se sistemi i drejtësisë mund taluftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Megjithatë, ai shpreson që Bashkimi Evropian do ketë mirëkuptim për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që ata të mos mbeten të izoluar për shkak të mungesës së përparimeve në punën e institucioneve.

“Në Kosovë luftimi i korrupsionit është një farsë dhe nuk ka luftë të vërtetë kundër korrupsionit. Se pari mungesa e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar paraqet problem për qytetarët e Kosovës dhe mirëqenien e tyre dhe e dyta paraqet problem edhe në procesin e liberalizmit të vizave”.

“Por ne shpresojmë shumë se Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tij, do të kenë këtë herë mirëkuptim për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilëve do t’u japë mundësi që të lëvizin lirshëm në zonën Shëngen”, konsideron Musliu.

Ai thotë se sfidë për luftimin e korrupsionit mbesin dënimet për zyrtarë të lartë të institucioneve. Ai tregon se para pak kohe, Institutin e Kosovës për Drejtësi e kanë vizituar ekspertë të Bashkimit Evropian, të cilët kanë nxjerrë një raport se nuk ka rezultate në luftën e korrupsionit të profilit të lartë.

“Gjetjet e ekspertëve të Bashkimit Evropian janë në përputhje të plotë më gjetjet sistematike të Institutit të Kosovës për Drejtësi. Prandaj lufta e cila duhet bëhet kundër këtij profili është një luftë, e cila mund të bëhet vetëm atëherë kur ndikimi politik nuk do të jetë prezent në sistemin e drejtësisë. Dhe, fatkeqësisht, kjo është një sfidë jashtëzakonisht e madhe, e cila nuk mund të bëhet brenda pak ditësh, muajsh, por edhe ndoshta brenda pak vitesh”, thekson Musliu.

Pas ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe zyrtarë të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë kanë thënë se vëmendja e institucioneve të Kosovës, duhet të përqendrohet në forcimin e rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndryshe, që nga viti 2016, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.

Nga ajo kohë, Kosova i kishte dy kritere për t’i përmbushur: atë të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që tashmë ka përfunduar dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. /REL/