LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, gratë shofere më të sigurta dhe më të qeta se burrat

Maqedoni, gratë shofere më të sigurta dhe më të qeta se burrat

Statistikat dhe faktet tregojnë se gratë janë shofere më të sigurta se burrat. Hulumtimet e organizatave ndërkombëtare relevante, tregojnë se burrat shumë më shumë pësojnë në aksidente rrugore në krahasim me gratë dhe shumë shpesh janë shkaktues të aksidenteve rrugore me pasoja serioze dhe fatale.

Me rastin e ditës së gruas 8 Marsi, Këshilli Republikan i Sigurisë të Komunikacionit në Rrugë KRSKRR, ka bërë analizë të hulumtimeve dhe anketave në këtë temë, por edhe në atë që tregojnë të dhënat statistikore.

Sipas KRSKRR, në Maqedoni, mesatarisht, rreth 70 deri 80 për qind e viktimave në aksidentet rrugore janë të gjinisë mashkullore, ndërsa 20-30 për qind të gjinisë femërore.


Hulumtimet, analizat dhe realiteti, tregojnë se gratë janë shofere shumë të kujdesshme, janë të përgjegjshme dhe i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit. Sjellja e shpejtë dhe agresive në komunikacion, nuk është cilësi e grave. Rrallë mund të shihet një grua t’i shpërfill pasojat nga drejtimi i automjetit motorik nën ndikimin e alkoolit.

Hulumtimi i bërë përmes një sondazhi nga KRSKRR periudhën e fundit, tregon se 60 për qind nga gratë – shofere në Maqedoni janë të bindura se ato janë shoferë më të mira se burrat, 88 për qind e grave vlerësojnë se sjellja agresive në komunikacion është karakteristike për burrat, 60 për qind vlerësojnë se burrat janë pjesëmarrës të papërgjegjshëm në komunikacion, 63 për qind vlerësojnë se burrat dhe gratë janë pjesëmarrës të barabartë në komunikacion, ndërsa 37 për qind vlerësojnë se burrat janë dominues dhe nuk i respektojnë gratë si pjesëmarrës të barabartë në komunikacion. Pjesa më e madhe e grave vlerësojnë se burrat janë agresiv dhe kjo me siguri u pengon dhe u ndikon në komunikacion.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 77 për qind e rasteve të vdekjes në komunikacionin e rrugëve janë shkaktuar prej burrave, rreth 72 për qind e viktimave në aksidentet rrugore janë persona të gjinisë mashkullore, ndërsa sipas të dhënave të kompanive botërore të sigurisë, rreth 80 për qind e dëmeve të bëra në sistemin e komunikacionit janë bërë prej burrave.

Lidhur me pyetjen vallë burrat apo gratë janë shoferë më të sigurt, ekspertët thonë se gratë janë më të sigurta dhe më të qeta në komunikacion, ndërsa burrat janë më agresiv dhe më me padurim. Shoferët burra kanë më shumë vetëbesim dhe mundësia të bëjnë gabime, gjegjësisht shoferët burra më shumë e nënvlerësojnë rrezikun në komunikacion.

Meshkujt e rinj shumë më shumë shkaktojnë aksidente rrugore me pasoja të rënda dhe fatale në krahasim me femrat.

Një studim komunikacioni i bërë në New York, tregon se 80 për qind e aksidenteve në të cilat viktima apo të lënduar rëndë janë këmbësorë, shkaktohen prej shoferëve të gjinisë mashkullore. Hulumtimet e kompanive të atjeshme të sigurimit, tregojnë se mundësia gratë të shkaktojnë aksidente rrugore me pasoja serioze, është më e vogël në krahasim me shoferët meshkuj dhe pikërisht për këtë në periudhën e ardhshme pritet një tendencë e re e zvogëlimit të çmimeve të sigurimit për gratë shofere.

Anketat dhe hulumtimet tregojnë se burrat, për dallim prej grave, më mirë janë të njoftuar me pajisjet për siguri në automjet. Burrat e dinë se ekziston kontroll elektronik i stabiliteti i cili ndihmon të parandalohen fatkeqësitë me rrokullisje të automjetit, pastaj burrat më mirë shërbehen me mjetet ndihmëse, me me vetëdije sillen në rast të aksidentit rrugor, më mirë gjinden në hapësirë të vogël me manovra të vështira, më shpejtë parkojnë etj. Pikërisht kjo krijon perceptim të rrejshëm se burrat janë më të mirë dhe më të sigurt se gratë.

KRSKRR apelon deri te të gjithë shoferët të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në komunikacion, t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat në komunikacion, të jenë pjesëmarrës mbrojtës në komunikacion, sepse pasojat janë tragjike, të mëdha dhe të pa kompenzueshme, pavarësisht gjinisë, moshës, kombësisë apo cilësdo karakteristikë tjetër individuale të shkaktarit të aksidentit apo të viktimës./AIM/