LAJMI I FUNDIT:

Furnizimi me barna – Ministri Ismaili thotë se po punon për të gjetur zgjidhje afatgjate

Furnizimi me barna – Ministri Ismaili thotë se po punon për të gjetur zgjidhje afatgjate

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë të ditur gjendjen aktuale të furnizimit me barna.

Ismaili e ka pranuar se furnizimi me barna nuk është në gjendjen të cilën edhe ai, por edhe qytetarët e dëshirojnë.

Megjithatë, Ismaili ka thënë se tashmë ka ndërmarrë një varg veprimesh, për rregullimin e çmimeve për barna, sistemin për monitorimin e kontratave si dhe procesin e revidimit të listës esenciale.


Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Në momentin kur kam pranuar detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, e kam ditur se gjatë mandatit tim nuk do të ketë vetëm lajme të mira; se bashkë do të ballafaqohemi me sfida të ndryshme, për shkak se të gjithë e dimë gjendjen jo të mirë në këtë sektor.

Megjithatë, situatat e vështira – të cilat nuk i dëshirojmë – duhet t’i pranojmë dhe duhet të merremi me to. Një e tillë është furnizimi me barna, proces ky që së fundi nuk ka qenë në gjendjen më të mirë.

Është e vërtetë se kam trashëguar një sistem jofunksional të planifikimit dhe shpërndarjes së barnave, që kam gjetur mungesa të mëdha në menaxhimin e tyre, por arsyetimet nuk sjellin zgjidhje.

Kam thënë publikisht se deri në qershorin e këtij viti do të ballafaqohemi me këtë problem, derisa ta krijojmë një sistem të mirëfilltë – i cili do të vazhdojë për së mbari edhe pas mandatit tim.

Sidoqoftë, dua të ndaj me ju përpjekjet dhe punët që janë bërë gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që furnizimi me barna të stabilizohet, e sidomos që ky proces të rregullohet njëherë e përgjithmonë.

Kemi filluar renovimin e kontratave për të gjitha barnat që mungojnë.

Tashmë i kemi dërguar për publikim tenderët për 300 artikuj të barnave të Listës Esenciale, materialit shpenzues dhe Citostatikëve.

Kemi krijuar një sistem përditësimi dhe monitorimi të stoqeve dhe kontratave, i cili do të na mundësojë ta kemi pasqyrën e saktë deri në 4 muaj para skadimit të një kontrate. Kështu, do të kemi kohë të mjaftueshme që kontrata të përtërihet në afatin e duhur, në mënyrë që barnat të mos mungojnë.

Jemi duke krijuar procedura të tilla që të mos blihen barna shumëfish më të shtrenjta. Nuk do të paguajmë më shumëfishin e çmimit për një produkt, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke e dëmtuar me miliona euro buxhetin e shtetit tonë, por ato do t’i marrim me çmimet referente të tregut.

Me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) jemi duke punuar intensivisht që të revidojmë Listën Esenciale të Barnave, e cila nuk është bërë nga viti 2012.

Përkundër kësaj, jam i vetëdijshëm se furnizimi me barna nuk është ende në nivelin që ju, unë dhe të gjithë, e dëshirojmë.

I kuptoj shqetësimet tuaja. Ato janë edhe të miat. Por, bashkë e kemi nisur ndryshimin e gjendjes në shëndetësi dhe bashkë do t’i kalojmë edhe telashet që do t’i kemi rrugës.

Ju siguroj se gjatë muajve të ardhshëm, pas veprimeve që kemi ndërmarrë, furnizimi me barna do të jetë shumë më i mirë. Dhe, qytetarët që kanë nevojë për to, do t’i marrin në vendin dhe kohën e duhur.