LAJMI I FUNDIT:

Të përfundosh punën në Ballkanin Perëndimor

Të përfundosh punën në Ballkanin Perëndimor

Më 16 janar, përfaqësues të Serbisë dhe Kosovës u takuan në Bruksel për bisedime që synonin të ndërtonin besim mes palëve. Por, në të njëjtën ditë, udhëheqësi i minorancës serbe në Kosovë Oliver Ivanoviq u vra në seksionin e administruar nga serbët në Mitrovicë, Kosova e veriut dhe bisedimet u anuluan.

Që nga fundi i Luftës së Kosovës më 1999, Ballkani Perëndimor ka bërë shumë progres në përballjen me forcat nacionaliste dhe reaksionare që sollën zhvillimin e atij konflikti brutal etnik. Por vrasja e Ivanoviqit, me gjasa nga duart e organizatave kriminale që janë lejuar të lulëzojnë në Kosovën e veriut, tashmë kërcënon të hedh benzinë në zjarrin ende të pashuar. Fantazmat nacionaliste të rajonit po gjallërohen nga gjumi i tyre.

Vendet e Ballkanit Perëndimor po vuajnë për t’u përballur me shumë sfida të tjera.


Korrupsioni është i gjithëpërhapur, për shkak të rrjeteve të krimit të organizuar që u rritën nga aparatet e sigurisë së kohës së komunizmit. Ndikimi i Shteteve të Bashkuara në rajon po bie, ndërsa Rusia po bëhet më revanshiste. Dhe, për shumicën e vendeve të rajonit, ka pikëpyetje të mëdha mbi rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kjo duhet të ndryshojë. Maqedonia (përkohësisht e njohur si ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, ose FYROM) ka qenë një vend kandidat për anëtar në BE që nga viti 2005, por bisedimet e anëtarësimit nuk janë hapur. Greqia ka premtuar gjithmonë të vendosë veton mbi anëtarësinë e Maqedonisë, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi emrin e vendit. Dhe vetë vendi është ndarë prej kohësh mbi çështje të brendshme të lidhura me korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe minoritetet etnike.

Megjithatë, ka ende arsye për shpresë. Në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit në Zvicër këtë vit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u takua me kryeministrin e Greqisë Alexis Tsipras dhe ra dakord të riemërojë aeroportin më të madh të vendit. Emri i tij aktual, që përkujton Aleksandrin e Madh, ka zemëruar prej kohësh grekët.

Nga ana e vet, Mali i Zi u pranua në NATO në qershor 2017. Por, ajo gjithashtu duhet të përballet me ndikimin në rritje të Rusisë, përfshirë një komplot të dyshuar për të rrëzuar qeverinë aktuale. Mali i Zi, krahas Serbisë, ka filluar procesin e anëtarësimit në BE, por ka ende një rrugë të gjatë për të kryer. Nga të 35 kapitujt e ligjit të BE që duhet të negociohen, Mali i Zi ka hapur 30 dhe përkohësisht ka mbyllur tre. Serbia, ndërkohë, ka hapur dymbëdhjetë dhe përkohësisht ka mbyllur dy.

Shumë vende të tjera mbeten të bllokuar gjithashtu, ose nga vetot nga brenda BE-së ose nga pengesat e brendshme. Bosnja dhe Hercegovina për shembull, është ende duke u përballur me pengesat e marrëveshjes së paqes së Dejtonit. Dhe Millorad Dodik, udhëheqësi i mbështetur nga Kremlini i Republikës Serbe të Bosnjës, ka luajtur me idenë e një referendumi për pavarësi.

Rusia dukshëm ka një interes në dekurajimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga rruga drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe kjo është një arsye më shumë që BE të rrisë angazhimin e vet në rajon. Për këtë qëllim, Presidenti i Komisionit Evropian

Jean-Claude Juncker, në fjalimin e tij “Gjendja e Bashkimit” shtatorin e kaluar, bëri thirrje për një “perspektivë të besueshme zgjerimi” për rajonin. Dhe në shkurt, Komisioni Evropian ka në plan të miratojë një Strategji Zgjerimi të re e cila do të vendosë si objektiv për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi vitin 2025.

Por, nëse një strategji e tillë do të funksionojë, asaj do t’i duhet të shoqërohet me reforma të udhëhequra nga Evropa në vendet e Ballkanit Perëndimor, reforma që afrojnë më shumë këto vende me kërkesat për anëtarësim në BE. Për më tepër, BE duhet të bëjë të qartë se anëtarësimi në fund do të bazohet në merita, dhe se datat objektiv janë thjeshtë aspiratë dhe jo detyrim. Siç e ka treguar anëtarësimi i Rumanisë dhe Bullgarisë, kur datat vendosen në mënyrë arbitrare, ata marrin tepër peshë dhe mund të jenë kundërprodhuese, për shkak se dobësojnë tendencat për reforma kuptimplota.

Strategjia e Zgjerimit të BE-së do të kërkojë mbështetje nga vendet individuale anëtare të BE-së, të cilave duhet t’i rikujtohet se dështimi për të mbajtur Ballkanin Perëndimor brenda hapësirës Evropiane mund të sjellë një rikthim të gjakderdhjes së viteve 1990 apo më keq. Ajo do të kërkojë gjithashtu edhe mbështetje nga partnerët dhe aleatët e Evropës – në veçanti SHBA-ve – të cilës duhet t’i rikujtohet rëndësia gjeopolitike që ka shmangia e një pasoje të tillë.

Sa për vetë rajonin, elitat politike do të kenë nevojë të motivohen për të ndjekur reformat e nevojshme, në vend që t’i japin prioritet interesit të vet ekonomik. Prioriteti më i lartë duhet të jetë reformat në drejtësi, të cilat do t’i ndihmojnë këto shoqëri për të brendësuar sundimin e ligjit dhe ripajtimi rajonal, pa të cilit nuk mund të ketë progres drejt anëtarësimit. Përtej këtyre kërkesave themelore, rajoni do të ketë nevojë edhe për investime masive në transport dhe komunikim, për të lidhur atë me pjesën tjetër të Europës dhe jo me Kinën apo Rusinë, siç ka qenë tendenca e viteve të fundit.

Alternativa ndaj zgjerimit të Evropës në Ballkanin Perëndimor është rritja e nacionalizmit dhe kthimi i mundshëm te konflikti politik. BE duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë për të penguar këtë skenar. /Project Syndicate/reporter.al/

Në trend

Më shumë
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Analiza e

Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride

Siguri

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina
Granit Xhaka shënon gol spektakolar në fitoren e thellë të Bayer Leverkusenit dhe njofton se do të bëhet sërish baba

Granit Xhaka shënon gol spektakolar në fitoren e thellë të Bayer Leverkusenit dhe njofton se do të bëhet sërish baba

Bundesliga
Kalo në kategori