LAJMI I FUNDIT:

Daçiq: Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur

Daçiq: Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur, për shkak se atë nuk e njohin organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, sepse këtë nuk do ta lejojnë miqtë e Serbisë, sidomos Kina dhe Rusia.

Ai përkujtoi  se “Kosova më 17 shkurt do të shënojë 10 vjet nga shkëputja e njëanshme dhe se në këtë periudhë Prishtina nuk arriti të rrumbullakësojë pavarësinë e saj”.

Daçiç theksoi se Serbia dëshiron të bëjë kompromis me Kosovën, por jo duke njohur pavarësinë e saj, njoftojnë media e Beogradit.


“Si është e mundur që, ata që kanë dërguar trupa me dhjetëra mijëra kilometra jashtë territorit të vet për të mbrojtur interesat e huaja, tash i thonë Serbisë se tash është e nevojshme marrëveshja me Prishtinë, në atë mënyrë që Beogradi ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, tha Daçiq, përcjell Telegrafi.

Daçiq theksoi se si ministër i Jashtëm i Serbisë do të punojë në vendosjen e marrëdhënieve miqësore me Britaninë dhe Francën, të cilët ishin aleatë të Serbisë në Luftën e Parë Botërore, si dhe me Shtetet e Bashkuara dhe vuri në dukje se 100 vjet më parë në Shtëpinë e Bardhë është valëvitur flamuri serb.

“Mirëpo, pyetja për ta është se në çfarë gjetën interesin me ata ndaj të cilëve kemi luftuar para 100 vitesh, apo Lufta e Parë Botërore ishte e kotë dhe se ndoshta kjo tregon se është më mirë të humbësh sesa të luftosh heroikisht”, tha Daçiq. /Telegrafi/