LAJMI I FUNDIT:

Nishani: Në hetimin për drogën të përfshihet edhe Edi Rama (Video)

Nishani: Në hetimin për drogën të përfshihet edhe Edi Rama (Video)

Ish-Presidenti Bujar Nishani deklaroi se siguria kombëtare është rrezikuar dhe ishte kjo arsyeja pse kishte mbledhur  Këshillin e Sigurisë Kombëtare në vitin 2016. “Kam pasur këtë shqetësim, ndaj edhe e mblodha këtë Këshill në atë kohë”, tha Nishani.

Në vijim ai shtoi se kjo mbledhje e Këshillit të Sigurisë i shërben hetimit të nisur nga prokuroria ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir  Tahiri, por është prokuroria ajo që përcakton.

“Prokuroria duhet të hetojë çdo institucion që ka pasur detyrimin kushtetues dhe ligjor për të moslejuar krijimin e një situate të tillë, e cila çoi në cenimin e sigurisë kombëtare. Këtu përfshij të gjitha institucionet nga Presidenti, Kryeministri dhe çdo drejtues tjetër të institucioneve”, tha Nishani, në emisionin Fakt në syri.net .


Në vijim, ish-Presidenti i cilësoi përgjimet e antimafias italiane si prova të forta në lidhje me trafikun e drogës.

“Lufta kundër krimit të organizuar nuk i përket vetëm institucioneve, por dhe opinionit publik. Krimi sot ka hyrë në politikë, në shtet, në ekononomi si dhe tek familjet shqiptare”, theksoi Nishani.

Në vijim ai u ndal edhe në padinë e ngritur nga KLD kundër Tahirit, e cila u pushua më pas nga institucionet e drejtësisë.

“Padia ndaj Tahirit ka qenë nga KLD kundër Tahirit, pasi po u bënte presione gjyqtarëve me përgjime të paligjshme. Ajo që u provua ishte se një pajisje përgjuese  është futur , është përdorur dhe është larguar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria”, tha Nishani.