LAJMI I FUNDIT:

Daçiq: Surinami tregoi se është e mundur të shkohet në drejtim të kundërt

Daçiq: Surinami tregoi se është e mundur të shkohet në drejtim të kundërt

Vendimi i Surinamit për të tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran tregon se ky proces mund të shkojë në drejtim të kundërt, tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Ky është një tregues se ky proces (njohja) mund të shkojë në drejtim të kundërt dhe kjo është arsyeja pse kjo ngjarje është e rëndësishme,” tha Daçiq në mbrëmë për Radio Televizionin e Serbisë, transmeton Klan Kosova.

Ishte kryediplomati serb i cili një ditë më parë në një konferencë për media tha se shteti i Surinamit e kishte tërhequr njohjen e Kosovës.


Pos deklaratës së tij, në media ka qarkulluar një letër, që burimin e kishte tek misioni i Surinami në Kombet e Bashkuara, sipas së cilës kjo gjë ka ndodhur.

Letra i drejtohet misionit të Serbisë në këtë organizatë dhe në të thuhet se Surinami ka vendosur ta çnjohë Kosovën dhe të përtërijë marrëdhëniet me Serbinë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka theksuar në një kumtesë për media se deri më tash nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtarë në lidhje me raportimet se ky vend të ketë tërhequr njohjen ndaj Kosovës, transmeton Klan Kosova.