LAJMI I FUNDIT:

Ish-infermieri i “Medicus” tregon për dy operacione të cilat u kryen në klinikë

Ish-infermieri i “Medicus” tregon për dy operacione të cilat u kryen në klinikë

Dëshmitari Besim Gashi, ka deklaruar se në cilësinë e infermierit ka qenë pjesë në dy raste pas operacioneve që janë kryer në Klinikën “Medicus”, e për të cilin rast akuzohen mjekët Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini.

Në dëshminë e tij, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gashi ka thënë se brenda ditës dhe në të njëjtë kohë janë pranuar për operim dy pacientë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Valeria Bolici, ky dëshmitar ka treguar se ka punuar në njësinë e kujdesit intensiv, në katin e parë pranë doktorit turk Jusuf Sonmez, i cili sipas tij, i ka mjekuar pacientët pas operimit.


“Kanë qenë dy raste që unë kam qenë prezent. Dy pacientë kanë ardh në kujdes intensiv”, ka deklaruar Gashi, i cili tha se ishte mjeku turk, ai i cili u jepte udhëzime në lidhje me pacientët të cilët shtriheshin aty pasi që dilnin nga salla e operacionit.

Prokurorja Bolici i prezantoi dëshmitarit disa fotografi të bëra nga ekspertja mjekoligjore Carmen Barbu për dy pacientët A.K. dhe D.S. dhe kërkoi të di nga ai, nëse ato plagë që i shihte në këto fotografi ishin të ngjashme me ato që i kishte mjekuar mjeku Jusuf Sonmez, dhe dëshmitari u përgjigj se po.

Prokurorja ka vazhduar të parashtroi pyetje ndaj tij, lidhur me atë se sa gjatë qëndronin pacientët në dhomën e kujdesit intensiv. Gashi tha se me sa mban mend, pacientët aty kanë qëndruar tri deri në katër ditë dhe se këta pacientë silleshin aty menjëherë pas operacionit dhe se sipas tij, ata zakonisht ishin të lodhur dhe të përgjumur.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores rreth kombësisë së pacientëve, dëshmitari tha se me sa i kujtohet ata kanë qenë nga Turqia, Gjermania dhe Izraeli.

“Sa di unë ka qenë një i moshuar nga Gjermania dhe me bindjen time ka qenë një turk, më duket një ka qenë Izraeli”, tha dëshmitari Gashi, i cili vazhdoi të merrej në pyetje nga prokurorja, e cila kërkoi të di nëse pacienti nga Izraeli ka qenë më i ri, Gashi u përgjigj se ai ka qenë rreth 55-56 vjeç, raporton “Betimi per Drejtesi”.

Dëshmitari tha se ekipi i mjekëve që kryente operimet ishin Jusuf Sonmez dhe Lutfi Dervishi, kurse ekipi i anesteziologëve sipas ka qenë i përbërë nga ai dhe Dr.Islami, Dr. Sylejman Dulla si dhe Dr. Sokol Hajdini.

Ai ka shtuar se në operimet që i kryente dr.Jusufi, merrnin pjesë tre anesteziologë, derisa ka thënë se si infermierë, ata nuk kanë pasur qasje në sallën e operacionit.

Ish-infermieri Gashi, ka deklaruar se doktori Jusuf, me pacientët ka komunikuar në gjuhën angleze.

“Prej ekipit të mjekëve që punonin me dr.Jusufin a të kujtohet ndonjë doktor me emrin Kenan ?”, ishte pyetja që parashtroi prokurorja ndaj këtij dëshmitari, i cili u përgjigj se po.

“Po, njëherë e kam parë që ishte më i moshuar se Dr.Jusufi dhe është prezantuar si Dr.Kenan”, ka thënë ai i cili ka shtuar se nuk e di nëse ka qenë pjesë e ndërhyrjeve kirurgjike, por ka deklauar se ky mjek ka ardhur bashkë me dr.Jusufin t’i vizitojnë pacientët pas operacionit.

Përveç prokurores, pyetje ndaj këtij dëshmitari ka parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Valon Hasani, i cili e pyeti atë nëse kishte pasur mundësi që të shihte ndonjëherë Dr.Jusufin së bashku me të në sallën e operimit, kurse dëshmitari u përgjigj se pasi që ata nuk kishin qasje në dhomën e operacionit nuk kishte pasur mundësi t’i shihte asnjëherë bashkë.

“Pasi që sallat e operacionit kanë pasur dalje në kujdes intensiv, personat që i përmenda ma herët janë ata që i kam parë duke dalë nga dhoma”, tha dëshmitari. “Kush kanë qenë ata persona që kanë dalë nga dhoma?”, pyeti avokati. “Dr Jusufi Dr Lutfiu dhe ekipa e anesteziologëve në të dyja rastet”, u përgjigj dëshmitari.

Ndryshe, dëshmitari Besim Gashi, i ka dhënë deklaratat e tij edhe në vitet 2011, 2012 dhe 2013, të cilat gjithashtu ishin pjesë e shqyrtimit të së enjtes.

Ish-infermieri i klinikës “Medicus”, tha se qëndron prapa këtyre deklaratave, pavarësisht se sipas tij, ka kaluar kohë e gjatë.

Ai në këtë klinikë ishte punësuar në vitin 2008 dhe thotë se kjo mundësi i ishte ofruar nga kolegët e tij që punonin gjithashtu në QKUK.

Seanca e radhës do të mbahet më 7 nëntor 2017, në të cilën do te dëshmojnë dëshmitarët Tunë Pervorfi dhe Dardan Imeri.

Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.

Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.

Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.

Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.

Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.

Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.

Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.

Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.