LAJMI I FUNDIT:

Pacolli: Në Kosovë ka shumë punë për të bërë

Pacolli: Në Kosovë ka shumë punë për të bërë

Në tubimin zgjedhor të koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, të mbajtur sot në Malishevë, Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova për 18 vite me radhë është në duar të njerëzve që veprojnë me forcë.

“Ne palës tjetër duhet t’i themi mjaft më! Nëse keni luftuar ashtu siç thoni për Kosovën, nëse e doni Kosovën, bëni një favor Kosovës dhe largohuni, mjaft e keni zhvatur”, ka thënë Pacolli duke shtuar se heronjtë që kanë vdekur për këtë liri, e kanë menduar një Kosovë të zhvilluar ku secili është i barabartë.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve të Malishevës që me datë 11 qershor t’i votojnë njerëzit e kohës, të cilët kanë kriter, përgatitje akademike dhe vullnet për ta ndryshuar Kosovën.


“Në Kosovë ka aq shumë punë për tu bërë dhe ka aq shumë të papunë, nuk e di pse duhet të presim”, ka thënë ndër të tjera Pacolli, dhe ka shtuar se tash ka ardhur koha që Kosova të udhëhiqet nga njerëzit që do ta zhvillojë dhe ta bëjnë atë të dashur për qytetarët e saj.

“Aktualisht një pjesë e madhe e qytetarëve dëshiron të ikë nga Kosova. Ne do ta ndryshojmë këtë, prandaj me datën 11 qershor, besimin tuaj duhet të ja jepni koalicionit tonë, koalicioni i cili është i përbërë nga njerëzit që do ta bëjnë ndryshimin historik në Kosovë”, ka thënë Presidenti i Aleancës Kosova e Re në Malishevë.

Ndërsa kandidati i koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për kryeministër Dr.Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova ka nevojë për frymëmarrje të lirë, që të zhvillohet ekonomikisht, të krijojë perspektivë për rininë e saj të mrekullueshme dhe të bëhet vend me të cilin krenohen qytetarët e saj dhe miqtë euro-atlantikë të saj.

“Përmes Ligjit për Investime Strategjike, do të sjellim investitorë seriozë, që do të krijojnë vende pune e mirëqenie për familjet tuaja”, ka pohuar Hoti. “Me përkrahjen që ne e gëzojmë nga qytetarët e Kosovës, fitorja bindshëm është e jona”, ka shtuar ai. /Telegrafi/