LAJMI I FUNDIT:

Ditë e emërimeve nga Qeveria

Ditë e emërimeve nga Qeveria

Në mbledhjen e sotme, Qeveria zgjodhi bordin drejtues të Agjencisë së Ushqimit, anëtarët e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit si dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit.

Në bordin drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë zgjedhur Shqipe Dema (MBZhR), Isuf Cakiqi (MBZhR), Parim Bajrami (Oda Ekonomike e Kosovës), Tahire Maloku Gjergji (MSh), Selvete Krasniqi (MSh), Selatin Kaçaniku (organizata “Konsumatori”) dhe Valdet Gjinoci (Agjencia e Ushqimit).

Mandati i këtyre anëtarëve do të jetë trevjeçar.


Sipas kryeministrit Isa Mustafa, këto propozime i kanë dhënë vetë institucionet prej nga ata vijnë.

Në këtë mbledhje janë emëruar edhe anëtarët e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë: Naser Ramadani (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë), Dilaver Salihu (Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore), Arben Mehmeti (Fakulteti i Bujqësisë), Hajrip Mehmeti (Fakulteti i Bujqësisë). Edhe mandati i tyre do të jetë trevjeçar.

Po ashtu, kabineti qeveritar emëroi Dren Haraqiajnë drejtor të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit.

Dren Haraqija, Osman Ejupi dhe Dëfrim Rifaj ishin kandidatët që kishin hyrë në listën e ngushtë, por me propozim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kabineti qeveritar emëroi Haraqijën.

Kabineti qeveritar miratoi edhe dy kërkesat e tjera që të marrin autorizimin e presidentit për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare.

Ministrja e Integrimit Europian ka kërkuar autorizimin e Presidentit për të lidhur marrëveshjen financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Gjithashtu u miratua edhe kërkesa për dhënien e autorizimit Ministrisë së Arsimit nga Presidenti për të lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit me organizatën SPARK të Holandës për mbështetjen e kolegjit ndërkombëtar të biznesit IBCM në Mitrovicë.

Në këtë mbledhje u miratua edhe programi për komunitete. /kallxo.com/