LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Fjalën e fundit për Ushtrinë ta thonë aleatët ndërkombëtarë

Analistët: Fjalën e fundit për Ushtrinë ta thonë aleatët ndërkombëtarë

Ambasadori i amerikan Greg Delawie, sërish ka paralajmëruar autoritetet kosovare për pasojat e mundshme nëse themelohet Ushtria e Kosovës nëpërmjet Projektligjit që ka propozuar presidenti Hashim Thaçi.

Ambasadori Delawie ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë nismën për bërjen e ushtrisë në këtë kohë.

Ai ka bërë thirrje që të reflektojnë për pasojat e mundshme nëse vazhdohet në mënyrën e propozuar javën e kaluar.


Lidhur me këtë analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se Kosova nuk e ka luksin tash që të ndërmarr veprime që çojnë në izolim.

“Do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme që presidenti të ndërmarrë këtë nismë për interesa individuale. SHBA mbështet krijimin e ushtrisë dhe mbase deri në kohën e ndryshimeve të nevojshme ligjore do të gjenden modalitete të pajtueshme me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka theksuar se çdo veprim që nuk është në pajtim me aleatët do jetë i dëmshëm për vendin.

Edhe analisti tjetër, Bajrush Morina ka theksuar se nuk duhet të ndërmerren veprime për formimin e Ushtrisë së Kosovës pa konsultimin e ndërkombëtarëve.

“Për formimin e ushtrisë së Kosovës deri më tash po i dëgjojmë dy të vërteta: të vërtetën në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Të vërtetën në gjuhën shqipe po e thonë për pikë qejfi të tyre liderët tanë politikë e institucionalë. Të vërtetën në gjuhën angleze po e thonë ndërkombëtarët. Ndërkaq duke e pasur parasysh faktin se Pavarësia e Kosovës është projekt ndërkombëtar, atëherë pritet që fjala e fundit për ushtrinë e Kosovës të thuhet nga ndërkombëtarët”, ka thënë Morina në një prononcim për Telegrafin.

Morina ka theksuar se në këtë kuadër fjala e ambasadorit amerikan Greg Delawie do të duhej të jetë vendimtare.

“Deklarata e ambasadorit amerikan nuk është ndërhyrje në vendimet e vendorëve. Ushtria e Kosovës duhet të jetë pjesë e NATO-s e jo ushtri për ceremoni festive vendore. Kosova pa Amerikën është jetime. Amerika për Kosovën është Liria, shpresa dhe siguria. Pa Amerikën Pavarësia e Kosovës rrezikohet në themel ndërkaq e ardhmja duket e zymtë”, u shpreh Morina.

Ai theksoi se vetëm me miqësinë e përhershme me SHBA-të, shteti i Kosovës ka kuptim të plotë të sovranitetit e të integritetit shtetëror.

Pavarësisht këtyre deklaratave, presidenti Hashim Thaçi është i palëkundur nga vendimi i tij për të formuar Ushtrinë e Kosovës.

Ai këtë e ka rikonfirmuar edhe një herë përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Përmes kësaj letre Thaçi i ka qartësuar Stoltenbergut se përse Kosova duhet të formojë Ushtrinë, si dhe i ka bërë të qartë se Kosova nuk do ta pyes Serbinë për këtë./Telegrafi/