LAJMI I FUNDIT:

Flasin familjarët e Mentor Zekës, i vrarë dje në Pejë (Video)

Flasin familjarët e Mentor Zekës, i vrarë dje në Pejë (Video)

Mentor Zeka u vra dje pasdite si pasojë të shtënave me armë zjarri disa metra larg lokalit të tij në lagjen “Fidanishte” të Pejës ndërsa i dyshuar për vrasjen është ish shoku i tij, Kreshnik Haliti.

Haliti është arrestuar mbrëmë dhe ndaj tij është shqiptuar masa e mbajtjes 48 orëshe në polici në pritje që të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake.

Avokati i tij, Bahtir Troshupa, tregon për KALLXO.com motivin e mundshëm të këtij incidenti që rezultoi me vrasje.


“I dyshuari ka pasur borxh ndaj viktimës, dhe në bisedë e sipër ka eskaluar situata. Viktima ka përdorë armën kundër të dyshuarit, ka insistuar ta vrasë dhe në ato rrethana i ka dredhë dorën dhe arma ka krisë dhe është vrarë i ndjeri”, tha Troshupa për KALLXO.com.

Ndërsa Smajl Zekaj, familjar i viktimës tha se ende nuk i ka të qarta motivet e këtij incidenti mes shokësh.

“Informatat e fundit janë që është arrestuar një djalë me të cilin jemi edhe dajë edhe jemi nipa edhe kanë qenë shokë të mirë edhe nuk kemi pritë na prej atij personi që vepron në ketë mënyrë”, tha Smajl Zekaj.

Smajli është babai i Valdet Zekës që është pjesë e grupit të shqiptarëve që për dy ditë në maj të vitit 2015 luftuan kundër forcave maqedonase në një lagje të Kumanovës.

Ai tha se nuk është në dijeni nëse më herët Mentori dhe kreshniku kishin ndonjë konflikt mes vete.

Smajli shpreson që organet e drejtësisë do ta zbardhin tërësisht rasti dhe “ta sjellin drejtësinë në vend”.

Ai tha se si argument për zbardhje të vrasjes janë kamerat e sigurisë të cilat janë të vendosura nga komuna dhe lokalet përreth.

Prokurori i krimeve të rënda, Haxhi Sinanaj, përmes telefonit tha për KALLXO.com se është duke përgatitur kërkesën për caktimin e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Pejës.

“Nesër pritet që i dyshuar të dalë para gjykatës. Unë si prokuror jam duke përgatitur kërkesën për caktimin e paraburgimit”, tha Sinanaj për KALLXO.com

Sinanaj ka përsëritur së i dyshuarit është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës, por avokati Troshupa i qëndron deklaratës së tij që Haliti është vetëdorëzuar në polici.

Vrasja e mbrëmshme erdhi një javë pasi Peja u trondit nga një vrasje tjetër.

Për ketë rast Policia e Pejës arrestoi dy persona të dyshuar. /Kallxo.com/