LAJMI I FUNDIT:

Haliti: Për demarkacion s’po thuhet e vërteta, arbitrazhi është rruga e vetme

Haliti: Për demarkacion s’po thuhet e vërteta, arbitrazhi është rruga e vetme

Kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi, i caktuar nga komisionet e dy shteteve është paracaktuar dhe si të tillë institucionet e Kosovës pavarësisht kundërshtimeve të mëdha të opozitës dhe shoqërisë civile nuk mund ta lëvizin.

Ky është mendimi që jep nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe PDK-së, Xhavit Haliti.

Ai ka thënë për lajmi.net se për këtë gjë po heshtin edhe komisionet shtetërore për të cilat ai thotë se nuk u beson.


“Asnjërit komision nuk po i besoj qoftë atyre që pajtohet qoftë atyre që nuk pajtohen, sepse vërtet e kanë fut popullin në një qorr sokak” .

“Problemi është që s’po thuhet e vërteta. Kur është shënuar ky kufij dhe s’po thuhet e vërteta që ky është kufiri i paracaktuar dhe ne nuk mund ta lëvizim”, është shprehur Haliti.

Ratifikimi i demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës ende nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së votave dhe kundërshtimit nga partitë opozitare.

Por, për tejkalimin e kësaj krize, Haliti thotë se dërgimi në Gjykatën e Arbitrazhit do të ishte rruga e vetme.

“Unë mendoj që rruga e vetme që mos të polarizohet situata politike në Kosovë , që edhe BE në një farë mënyre të ketë parasysh situatën dhe raportet me Malin e Zi dhe NATO-s mos të keqësohen, është që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi të merren vesh që të pranojnë arbitrazhin dhe ai le ta vendosë kufirin”.

“Arbitrazhi mund të na shpëtoj pa e polarizuar situatën e brendshme politike dhe pa e fajësuar ndër kombtarshit udhëheqjen politike dhe legjislative të Kosovës”, është shprehur Haliti, i cili edhe më herët ka shfaqur dyshime sa i përket marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Megjithatë ai nuk beson që edhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit do të ishte ndryshe nga ai i komisioneve shtetërore.

“Nuk besoj që arbitrazhi vendos ndryshe nga ajo që e thanë komisionet zyrtare të Kosovës, sepse edhe NATO edhe Pako e Ahtisarit dhe pavarësia e Kosovës është shënuar mbi bazën e këtyre kufijve. Është problem nëse ne synojmë mos me pranuar këtë kufij”, ka thënë për lajmi.net Haliti.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta riprocedojë në Kuvend marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Mali e Zi, pas tërheqjes nga Kuvendi me 1 shtator të vitit 2016. Kosova dhe Mali i Zi kishin nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e kufirit më 25 gusht të vitit 2015.