LAJMI I FUNDIT:

Shteti i shumë nobelistëve ndan 36 miliardë franga për arsimin

Shteti i shumë nobelistëve ndan 36 miliardë franga për arsimin

Zvicra po i shton investimet në fushë të arsimit. Kështu, gjatë vitit 2014, në këtë degë janë derdhur gjithsej 36 miliardë franga, që është për 8.6 miliardë më shumë se në vitin 2005. Këto të dhëna i ka publikuar sot Zyra Federale për Statistika, shkruan albinfo.ch

Shuma në fjalë është 5.6 për qind e prodhimit të përgjithshëm shoqëror të Zvicrës për vitin 2014 dhe është pak mbi mesataren e vendeve të OECD-së, ku ajo është 4.8 për qind. Ndërkaq, Zvicrës me përqindje në këtë pikë ia kalojnë Norvegjia me 7.3 dhe Danimarka me 7.2 për qind të prodhimit të përgjithshëm shoqëror. Hungaria me 3.3 për qind është në fund të listës.

Sipas një përllogaritjeje, afërisht dy të tretat e shpenzimeve i kanë bartur kantonet, dhjetë për qind komunat dhe dhjetë për qind federata.


Rreth gjysma e parave ndahen për shkollimin fillor, të detyruar. Vetëm në kantonet Basel-stadt, Gjenevë, Bernë dhe Ticino, shpenzimet për shkollimin fillor janë më të ulëta se 50 për qind. Marrë në përgjithësi, shpenzimet për arsim janë në vendin e dytë për nga sasia në buxhetet e federatës, kantoneve dhe komunave. /albinfo.ch/