LAJMI I FUNDIT:

Rama: Opinioni i Venecias për Vetingun, në tryezën e Gjykatës Kushtetuese

Rama: Opinioni i Venecias për Vetingun, në tryezën e Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se opinioni i Komisionit të Venecias mbi Ligjin e Vetingut, është në tryezën e Gjykatës Kushtetuese, i qartë dhe pa asnjë ekuivok.

Edi Rama bëri këtë vlerësim në faqen e tij në Facebook, ku ka thënë se Ligji i Vetingut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës.

Postimi i plotë i Ramës në Facebook:


Tanimë Opinioni i Komisionit të Venecias mbi Ligjin e Vetingut, është në tryezën e Gjykatës Kushtetuese. I qartë dhe pa asnjë ekuivok!

Ligji i Vetingut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës sonë dhe tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese t’i hapë rrugë një orë e më parë zbatimit të tij. Sepse populli i Shqipërisë ka 26 vjet që kërkon dhe pret nga Drejtësia të jetë e lirë, e drejtë dhe e barabartë për të gjithë; sepse Shqipëria ka 26 vjet që kërkon dhe pret të negociojë anëtarësimin në Bashkimin Europian; sepse nuk ka më asnjë ditë për të humbur më tutje qoftë për të larguar nga Pallati i Drejtësisë, përmes Ligjit të Vetingut, gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe qoftë për të afruar më shpejt, përmes fillimit të negociatave, Shqipërinë me Shtëpinë e Europës së Bashkuar!

Gjykata Kushtetuese mund ta kishte mbaruar me kohë këtë punë dhe sot Shqipëria do të kishte nisur zbatimin e Ligjit të Vetingut e po ashtu, edhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Askush nuk më bind dot se gjykatësit tanë kushtetues kishin vërtet nevojë për Opinionin e Venecias dhe nuk e bënin dot punën e tyre pa të! Ata kanë treguar se kur duan, dinë ta bëjnë më së miri detyrën e tyre në shërbim të Kushtetutës e të interesave të këtij vendi. Nuk u mungon as dija dhe as eksperienca!

Ne nuk do të dorëzohemi në përpjekjen tonë për ta operuar thellësisht sistemin e kalbur të drejtësisë, përmes zbatimit të Reformës në Drejtësi që nuk mund, nuk duhet dhe nuk do ta lemë të mbetet në letër. Në emër të të gjithë shqiptarëve që duan të njëjtën gjë, u bëj thirrje gjykatësve kushtetues të Republikës së Shqipërisë të na dorëzojnë sa më parë vendimin e tyre, për këtë ligj që hap rrugën e pastrimit të Pallatit të Drejtësisë!

Uroj që Gjykata Kushtetuese të mos bëhet mburojë e të shkuarës që prej çerekshekulli mban peng drejtësinë në këtë vend, po të vendoset në anën e duhur të historisë.