LAJMI I FUNDIT:

Tahiri në Vlorë: Policia e Shtetit, pranë qytetarit

Tahiri në Vlorë: Policia e Shtetit, pranë qytetarit

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka qenë pasditen e kësaj të premteje në Vlorë, me rastin e çeljes së panairit “Ditë e Hapur me Policinë”.

Në fjalën e tij në këtë event, Tahiri është shprehur se, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit e organizuan këtë event për të hapur një dritare komunikimi mes qytetarëve dhe uniformave blu.

“Duke besuar se mënyra më e mirë për t’i bërë qytetet tona më të sigurta është duke bashkëpunuar dhe duke ndërtuar platforma solide të bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve”, ka thënë Tahiri.


Ai ka komentuar edhe akuzat e bëra së fundmi në adresë të funksionarëve të lartë të policisë nga opozita.

“Shumë është thënë, veçanërisht gjatë muajve të verës. Shumë akuza dhe baltë është hedhur mbi Policinë e Shtetit. Në fakt, kjo është Policia e Shtetit. Kjo që shihni këtu, kjo që shikojnë qytetarët e Vlorës. Shërbim për qytetarët. Angazhim për qytetarët. Përkushtim për t’i shërbyer më mirë qytetarëve në luftën kundër kriminalitetit, paligjshmërisë dhe informalitetit”, është shprehur Tahiri.

Sipas tij, 99.99% e qytetarëve shqiptarë janë ata që respektojnë ligjin. “Janë ata që e duan ligjin, janë ata që duan qytete të sigurta”, ka shtuar ministri i Brendshëm./tch/