LAJMI I FUNDIT:

Tragjike! Vajzat shqiptare qepen kur kthehen emigrantët!

Tragjike! Vajzat shqiptare qepen kur kthehen emigrantët!

Rikthimi i emigrantëve sjell njëkohësisht një pik martesash në muajt e verës e në të njëjtën kohë dhe një bum kërkesash për rivirgjërim apo “qepje” të vajzave që kërkohen me detyrim të paprekura nga bashkëshortët e tyre emigrantë, që kanë lënë pas një Shqipëri të izoluar ose të paktën kështu të menduar prej tyre, ku femrat nuk dalin nga shtëpia. Mjeket gjinekologe shohin përditë jaranë të mashtruar nga penj që lidhin sërish himenin duke i “rilindur” të virgjëra vajzat sikur asgjë të mos kishte ndodhur më parë…Një fenomen, që vë në dyshim moralin e një shoqërie që e sheh veten konservatore e ku duket se njolla e gjakut në çarçafë ka mbetur pikë e fortë reference, por që shpesh është në të vërtetë “mëkati” i dyfishtë i të kaluarës dhe mashtrimit të së tashmes

Ai iu hodh në qafë dhe e përqafoi. “Më fal e dashur, më fal zemër”, i tha, ndërsa ajo në sytë e doktoreshës, pas shpinës së tij tregoi gjuhën e shkeli syrin. Gjithçka ndodhte disa vite më parë, në sallën e vizitave të mjekes gjinekologe Mimoza Keta, në të cilën, një burrë kishte çuar nusen pak ditë pas natës së parë të martesës, sepse i kishte gjetur një fije peri pas kontaktit të parë seksual. Ajo që duhej të kishte qenë një natë dashurie ishte kthyer në një natë ankthi. Ajo mohonte të ishte “e qepur”. Ai dyshonte se s’kishte qenë e virgjër. Dyshimi e brente aq shumë sa i kërkoi një të afërmeje, e cila njihte doktoreshën, t’u mundësonte një vizitë.

Se çfarë u shkonte në mendje këtyre personazheve në atë moment nuk mund ta dimë, por mund të hamendësojmë se kanë qenë mendime dramatike. Ai mendonte ndarjen, ndoshta hakmarrjen. Ajo mendonte persekutimin apo përgojimin. Doktoreshë Keta thotë se pranoi të vizitonte gruan. U fut vetëm me të në dhomën e vizitës dhe aty bënë një pakt: “E hipa në kaluç dhe e pashë që ajo ishte e qepur. I kërkova të ishte e sinqertë me mua dhe i premtova se të shoqit do i thosha atë që donte ajo”. Gruaja ka pranuar. I ka thënë doktoreshës sa kishte paguar për rivirgjërinë dhe ajo ka thirrur burrin brenda në dhomë: “Ishte goxha djalë, i pasur dhe me një makinë shumë të mirë për kohën”, kujton ajo ndërsa shpjegon se i kishte thënë që e shoqja kishte qenë e virgjër. “I tregova një shenjë të kuqe, i thashë që ishte shenjë e virgjërisë”, tregon Keta ndërsa vazhdon të qeshë edhe sot disa vite pas asaj që ka ndodhur, edhe pse ajo e di që femrat vijojnë të qepen dhe meshkujt vijojnë të jenë po aq këmbëngulës të mashtrohen me virgjëri të rreme… “Shumë mirë bëjnë që qepen derisa burrat i duan të qepura”, – i bie shkurt pedagogia e UET, Ermira Danaj, që mendon se mashtrimi në këtë rast është më shumë një nevojë e patriarkalizmit për të mos u tronditur nga e vërteta.


Qepuni, po vijnë emigrantët!

Numri i vajzave “të qepura” rritet ndjeshëm me të filluar vera dhe kthimi nga jashtë për dasmat e rregulluara me korrespondencë i beqarëve nga emigracioni. Drejtoresha e maternitetit “Kiço Glozheni”, Rubena Moisiu e pranon se ka një fluks në muajt e korrikut dhe gushtit, i cili sidoqoftë mbetet në nivele hamendësimi për shkak se vizita të kësaj natyre nuk dokumentohen asnjëherë. “Nuk është e paligjshme dhe as e ligjshme”, shpjegon mjekja që thotë se në kohën kur nuk kishte detyra administrative, ka pasur kërkesa të tilla, por që kjo është në listën e ndërhyrjeve që nuk ka pranuar t’i kryejë. Moisiu pohon se edhe nga mjekët e kolegët e di që kërkesa rritet në verë dhe kjo kryesisht vjen për shkak të emigrantëve, por statistika zyrtare sidoqoftë nuk ka. “Edhe pse në media shpeshherë janë raportuar numra, ato kanë qenë më shumë hamendësime, pasi gjithë kjo ndërhyrje që zgjat nga 5 deri në 10 minuta nuk regjistrohet në asnjë vend”, pohon doktoresha.

Ajo thotë se është e pamundur edhe të kontrollohet procesi, që nuk ka nevojë për kushte apo për shpenzime të mëdha. Ai mund të ndodhë në një dhomë të thjeshtë vizite dhe shënohet si një vizitë normale në regjistra, ndërsa mjekut që e kryen i duhen vetëm pak minuta, një gjilpërë dhe një pe. Megjithatë, sipas Moisiut nga diskutimet me kolegët dhe nga informacionet e mbledhura në biseda, mund të hamendësohet që në momentet e kthimit të emigrantëve ka një rritje të numrit. “Emigrantët kanë ikur prej kohësh, atje ku janë kanë gjetur shoqëri liberale dhe ata vetë kanë marrëdhënie me femra nga më të ndryshmet, por kur vjen puna për t’u martuar kërkojnë që ajo të jetë e virgjër dhe vijnë në Shqipëri se e mendojnë një vend ashtu si e kanë lënë”, shpjegon ajo më tej.

Edhe mjekja Mimoza Keta pohon një rritje të numrit të atyre që kërkojnë të rivirgjërohen në periudhën e verës, para kthimit të emigrantëve. Sipas saj, sidoqoftë, numrat janë në rënie edhe pse këtë mund ta thotë edhe ajo vetëm mbi një bazë hamendësimi dhe eksperience personale e jo mbi të dhëna të faktuara. Moisiu nuk është kundër faktit që shqiptarët vijnë të lidhin martesa me shqiptarë. Për të, fakti që ata kthehen nga emigracioni dhe kërkojnë një vajzë shqiptare për të lidhur jetën është pozitiv, por përtej kësaj kërkesat e tyre për nusen e re janë diskriminuese. “Ata vetë me siguri kanë pasur marrëdhënie me femra të tjera, nuk kanë pse kërkojnë që vajzat me të cilat lidhen të mos kenë pasur një jetë të tyren”, thotë mjekja.

“Ajo nuk ishte nervoze?!”

Një vit më parë, një shqiptar që jetonte në SHBA interesohej në një forum online mbi shëndetin (steadyhealth.com), nëse e vluara e tij me të cilën tashmë kishte një fëmijë, kishte qenë apo jo e virgjër. Djali pohon se është 28 vjeç, se ishte martuar me shkesë, se ajo i ishte betuar se ishte e virgjër, mirëpo njësoj si personazhit tonë në fillim të shkrimit natën e parë, edhe atij gjërat i ishin dukur të çuditshme. “Unë jam 28 vjeç dhe në 2010-ën shkova në Shqipëri për t’u martuar; ishte një martesë e rregulluar, unë nuk e kisha takuar asnjëherë më parë vajzën dhe ajo më siguroi disa herë që ishte e virgjër, por natën e parë që ne patëm marrëdhënie unë vura re që ajo nuk ishte nervoze…”, shkruan ai në forum.

Ka më shumë se një postim në të njëjtën temë po prej tij nën pseudonimin “albania”. Në fund ai “pranon” se tashmë nuk qe e rëndësishme që gruaja e cila e kishte bërë baba, të kishte qenë apo jo e virgjër, por historia e tij që fillon me dyshimin e natës së parë dhe më tej me një udhëtim sërish në Shqipëri, gjatë të cilit ai vendos të hetojë jetën e së shoqes, takimet e saj, kafetë që kishte pirë me djem të tjerë dhe një tufë thashethemesh prej të njohurve të përbashkët.

Më shumë se njëherë ajo ia mohon të ketë pasur histori, po aq më shumë këmbëngul ai të mësojë një “të vërtetë” që nuk i sjell asgjë më shumë sesa dyshime. Në mes është gjithmonë një kushërirë që ka mësuar prej dikujt, se e shoqja kishte dalë njëherë me dikë dhe ndoshta…?! Po pse i intereson atij kjo? Deri në fund, i sulmuar prej postuesve të tjerë në të njëjtin forum, ai këmbëngul se për të nuk është e rëndësishme virgjëria, e prapë shton:

“Po ke të drejtë, unë mund ta kapërcej këtë nëse arrij ta heq nga mendja, fundja tani jam thuajse i sigurt që ajo ishte e virgjër…, ose nëse nuk ka qenë më vonë do të ma thotë kur të kuptojë se mua nuk më intereson kjo…”. Më shumë se një djali që nuk i intereson nëse e shoqja ka qenë apo jo e virgjër, ai duket një i fiksuar prej kësaj. Dikush i mbetur mes dy botësh. Atë të një Shqipërie ku të gjithë flasin për virgjërinë si vlerë pa të cilën një femër është “kurvë”, dhe atë të vendit ku jeton dhe ku qëndrime të tilla tallen, përbuzen apo nuk merren në konsideratë. Ai do në të njëjtën kohë të jetë amerikan i përparuar seksualisht dhe po në të njëjtën kohë, burrë me mustaqe vesh më vesh me një grua që në jetën e saj ka pasur vetëm atë dhe kurrë s’ka prekur, as ka lakmuar tjetër. Dhe në fund të fundit, me shumë gjasa nuk është as njëri dhe as tjetri. E shoqja nëse nuk e ka mashtruar për virgjërinë, ndoshta do vijë një ditë që do t’i vërë brirë dhe ai kurrë s’ka për ta marrë vesh edhe në qoftë se ajo do të jetë nervoze në shtrat…

Të virgjërat që s’gjenden

“Nuk e kuptoj se çfarë u duhet e virgjër, kur nesër apo pasnesër ajo mund t’i tradhtojë dhe ata nuk do të kenë asnjë mundësi ta dallojnë këtë”, thotë mjekja Moisiu, ndërsa flet me njëfarë nënçmimi për meshkujt e fiksuar. “Presioni i meshkujve i detyron femrat të qepen dhe meqë ata duan gjak në natën e parë, në çarçafë, ja ku e morën, e çfarë fituan prej kësaj?”- thotë doktoresha që beson se nisja e një marrëdhënieje në kushte të tilla mosbesimi dhe njëkohësisht mashtrimi nuk është shenjë e mirë për familjen e re. Për më shumë sipas saj, emigrantët duhet të çmësohen me idenë se Shqipëria është rezervat virgjëreshash. Në bazë të një studimi që kanë bërë në gjimnazet e Tiranës rezulton se numri i vajzave që e humbin virgjërinë para se të mbarojnë shkollën e mesme është në rritje. 62 për qind e adoleshenteve, sipas studimit të kryer prej tyre, kishin pasur marrëdhënie seksuale para moshës 18-vjeçare. Studimi në pesë gjimnaze të Tiranës ka treguar edhe një numër “të frikshëm” të marrëdhënieve edhe në një kohë më të hershme.

“15-20 për qind e vajzave kanë pasur kontaktet e para seksuale në moshën 13-vjeçare”, – thotë Moisiu. Ajo që kërkojnë emigrantët nga vajzat shqiptare, ndërkohë që kanë konsumuar marrëdhënie seksuale të panumërta me të huaja të cilat i shohin si liberale, madje dhe i mburrin për këtë, është krejtësisht jashtë kohe edhe për Shqipërinë tashmë. Për pedagogen e UET, që studion marrëdhëniet gjinore, Ermira Danaj, kjo është thjesht shprehje e patriarkalizmit që shfaqet në dhjetëra forma të tjera, por që fillon me virgjërinë. “Ekskluziviteti i pronësisë ndër vite është përkthyer me virgjërinë, ruajtja e virgjërisë ekskluzivisht për burrin. Ndërkohë ky ekskluzivitet nuk kërkohet për burrin, sepse në një kontekst dominimi mashkullor, qenia mashkull nuk ka nevojë të demonstrojë asgjë, as që është i ndershëm, as që është i virgjër, thjesht mjafton që është qenie mashkull”, thotë ajo.

Ashtu si Moisiu edhe gjinekologia Mimoza Keta e sheh si absurde kërkesën që u bëhet vajzave, që sipas tyre në mjaft raste është e pamundur të plotësohet edhe biologjikisht.

Mashtrimi i mirëpritur

Për Danajn kjo është zgjidhja e vetme që u mbetet femrave para meshkujve që e kërkojnë me ngulm që ato të jenë të virgjëra. Në bisedë e sipër ajo shpjegon se në këtë rast, edhe pse kemi të bëjmë me një mashtrim, është një mashtrim i kërkuar prej të gënjyerve. “Ajo që fatkeqësisht ndodh, është që për sa kohë këto probleme nuk e trondisin dominimin mashkullor, siç është dhuna, apo dhe mungesa e komunikimit, gjendja duket si normale dhe nuk përbën shqetësim të madh. Ndërkohë që rivirgjërimi duket si një “mashtrim i madh”. Rivirgjërimi është në fakt një “mashtrim” për t’i bërë qejfin shoqërisë që më mirë pranon një “mashtrim” të tillë sesa tronditjen e strukturës patriarkale ekzistuese”, – thotë ajo. Moisiu nga ana e saj nuk është e gatshme ta aprovojë as sjelljen e vajzave në këtë rast. Drejtoresha e “Kiço Gliozhenit”, thotë se i kupton vajzat, por për të ato duhet të marrin më shumë përsipër dhe ndoshta të heqin dorë nga një mashkull që u kërkon gjëra që nuk mund dhe as kanë pas ia ofrojnë. “Unë e di që ato kanë një hall të madh, por më duket shumë e padrejtë të nisësh jetën me një mashtrim dhe nuk më duket se i ndihmoj duke bërë këtë”, – shpjegon ajo, ndërsa thotë se herë pas here ka ngritur zërin për fenomene të ngjashme që kryesisht diskriminojnë femrën, duke filluar nga abortimi i fetuseve femra e deri te “qepja”. “I thashë vajzës, nëse ti do ta nisësh jetën me një mashtrim, kjo nuk është gjë e mirë, por është zgjedhja jote”, kujton mjekja Mimoza Keta.

Ajo shpjegon se burrin nuk e mashtroi thjesht për solidaritet femëror, por gënjeu sepse mjeku nuk mund të tradhtojë pacientin dhe nuk mund të nxjerrë asgjë që mëson prej tij apo trupit të tij në vizitë. Ajo thotë se një pjesë e mirë e vajzave e bëjnë këtë të shoqëruara me dikë tjetër, që në mjaft raste është nëna, por shumë e bëjnë këtë fshehurazi masivisht në klinika private, ku mundësitë për t’u njohur janë edhe më të vogla.

Sipas Danajt, rastet të tilla vijnë pasi sot kemi një përplasje të madhe vlerash. “Sepse kemi një traditë patriarkale të mbartur ndër vite, po ndërkohë kemi një informacion të pamasë nëpërmjet të cilit kjo traditë vihet në pikëpyetje. Flitet nga një anë për vlerën e virgjërisë, por nga ana tjetër diskutohet dhe mbi të drejtat e grave dhe vajzave për të qenë të lira për të vendosur vetë se çfarë duan të bëjnë me jetën e tyre duke mos dashur të jenë më pronë”, thotë ajo.

Sipas Danajt, rivirgjërimi nuk është veçse një formë tjetër dhune ndaj gruas. “Çështja e rivirgjërimit tregon se sot ne kemi më shumë nevojë se kurrë për t’i hedhur në diskutim vlerat e shoqërisë tonë, dhe jo për të ruajtur një “moral” fals. Fatkeqësisht, për sa kohë ne do të vazhdojmë ta konsiderojmë vajzën si inferiore, të brishtë, pronë të burrit, qenie të destinuar vetëm për t’u martuar e për të lindur fëmijë, do të hasim me raste të tilla si rivirgjërimi (që nuk është gjë tjetër vetëm një formë dhune simbolike ndaj vajzave dhe grave), apo dhunimi fizik i vazhdueshëm i tyre”, thotë ajo.

Gjaku në çarçafë…

Është e sigurt që nëse një burrë këmbëngul të marrë një grua të virgjër, ai me shumë gjasa do ta ketë atë qoftë kjo edhe virgjëri false. Ajo që ai nuk do të marrë vesh asnjëherë është se virgjëria që ka marrë dhe gjaku në çarçafë nuk kanë ndodhur për herë të parë. Mjeket, por edhe sociologët pohojnë se kryesorja për ata që këmbëngulin në virgjërinë e nuses nuk është fakti nëse ajo është vërtet e virgjër, por shenja se ajo është e tillë.

Mjekët thonë se një pjesë e mirë e femrave me një përqindje që varion mbi 50 për qind kanë një himen (shenjë të virgjërisë) elastik dhe një pjesë tjetër pësojnë çarje të himenit jo në ato që quhen vajza gjaku e për rrjedhojë kanë një humbje virgjërie pa gjak. Dhe ky është një problem i madh. Mund të jenë të pafundme viktimat e heshtura të paragjykimeve dhe përfoljes apo edhe martesave të dështuara prej kësaj virgjërie që shkon në mënyrë të heshtur. Mjaft burrat shqiptarë duan sipas mjekes Rubena Moisiu të tregojnë ende çarçafin me njollën e gjakut edhe pse ka kohë që ky nuk shpaloset më në dritare. Ajo që sipas mjekëve është një gjendje normale fizike e femrës për mjaft njerëz mund të jetë një katastrofë morale, ndoshta për këtë arsye ka një numër tjetër meshkujsh apo vjehrrash që shkojnë të bëjnë një verifikim për para se lidhja të shkojë në martesë. Mjekja Mimoza Këta pranon se ka pasur raste ku i është kërkuar që të verifikohej nëse vajza ishte e virgjër apo jo, por sipas saj këto nuk janë aq të shumta sa numri i atyre që kërkojnë të rivirgjërohen. Ajo thotë se mjaft herë ka tentuar t’ua prishë mendjen vajzave që kërkojnë diçka të tillë, por dyshon shumë se edhe pse mund të kenë pranuar para saj se nuk do ta kërkonin rivirgjërimin nuk kanë shkuar ta bëjnë këtë në një klinikë tjetër apo te një mjek tjetër. Arsyeja edhe sipas saj është shenja e gjakut mbi çarçafë.

Ndoshta një vajzë e qepur nuk është e virgjër natyrale, por ndryshe nga ajo që mund të jetë vërtetë e virgjër e qepura ta garanton (mjekët e bëjnë) që do ta kesh një njollë gjaku në çarçafë. Ndërkohë në rastin e një vajza natyralisht të virgjër, por me një himen elastik, njolla e gjakut është e pamundur dhe sipas doktoreshës mjaft prej tyre duhet të kenë vuajtur gjatë nën presion apo dhunë duke ua mbyllur gojën me faktin se nuk u gjetën të “virgjëra”. Burrave me namuz në fakt ata që kanë kërkuar me ngulm apo ata që do të zbresin avionit në Rinas këto muaj vere në kërkim të virgjëreshave duhet t’ua kishin mësuar këtë që në shkollë dhe për më shumë ndoshta dikush duhet tu mësojë që njolla e gjakut në çarçafë është një gjë pa vlerë dhe paguhet lirë.

Qepja nuk kushton

Ajo që e bën fenomenin krejtësisht të lehtë janë edhe çmimet. Nëse në Perëndim, ku duhet thënë kërkesa të ngjashme nga vajza prej familjesh emigrante nga vende shumë konservatore nuk mungojnë, pagesat shkojnë nga 200 euro më të lirat kryesisht në vende të Europës Lindore deri në 4500 euro në Austri, pasi kjo është një ndërhyrje plastike e për rrjedhojë e kushtueshme. Ndërkohë në Shqipëri “virgjëria” kushton shumë më pak. “Përgjithësisht merren aq para sa kushton një vizitë normale (nga 1 mijë deri 3 mijë lekë të reja), por ndodh që edhe nuk marrim para se nuk kanë”, thotë Mimoza Keta. Ndërkohë në klinikat private kostoja mund të jetë edhe më e lartë, por me siguri që tarifat nuk e kapin dyshemenë e 200 eurove që aplikon një mjek në Pragë. Kjo duket se e bën lehtësisht të aksesueshëm rivërgjërimin aq sa ka edhe barsoleta për gra që detyrohen ta bëjnë atë më shumë se njëherë. Doktoresha pohon se raste të tilla mund të ndodhin, por kjo vjen për shkak të një problemi teknik. Në rast se “qepesh”, atëherë koha deri në marrëdhënien e parë seksuale nuk mund të jetë më e gjatë se një javë. “Penj janë ata, nëse kalon një farë kohe këputen dhe qepja duhet ribërë ose nuk do të dukesh e virgjër”, – pohon mjekja. Duket se një burrë nuk e ka të lehtë të pranojë se gruaja e tij e re është e ndershme edhe pse ajo mund të mos ketë rrjedhje gjaku, për shkak të një cipe virgjërie elastike siç shpjegojnë mjekët, ndërsa sigurisht e marrin për të ndershme pa asnjë lloj dyshimi atë që e ka blerë këtë cipë për maksimumi 5 mijë lekë të reja. Sidoqoftë, familje të tilla mund të jenë të lumtura për një farë kohe. Doktoresha Keta na thotë se një vit më vonë, edhe pse nuk kishte dashur dhe i ishte dukur e sikletshme, e priti sërish në spital çiftin e ri të fillimit të kësaj historie. Këtë herë ata shkuan atje për të sjellë në jetë fëmijën e tyre. Fëmijën e një martese të “qepur” me mashtrim, por që duket se deri atëherë kishte funksionuar. “Nuk e di si vajtën më vonë, por mesa kam dëgjuar lindën të tjerë fëmijë dhe vazhdojnë të jenë të martuar”, thotë doktoresha normalisht, duke ruajtur të mos japë detaje për identitetin e tyre dhe duke kujtuar herë pas here skenën e burrit që i përgjërohej së shoqes ta falte që e kishte vënë para një prove të vështirë dhe shkeljen e syrit të kësaj të fundit. /Telegrafi/