LAJMI I FUNDIT:

Votimi për demarkacionin në seancën e fundit pranverë-verë?!

Votimi për demarkacionin në seancën e fundit pranverë-verë?!

Po ngushtohen gjithnjë e më shumë afatet kohore për deputetët e Kuvendit të Kosovës rreth votimit të shënjimit të ri kufitarë mes Kosovës dhe Serbisë, sipas një marrëveshje për demarkacionin nënshkruar në Vjenë fund gushtin e vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës dhe e Malit të Zi.

Ndërkohë, vetëm pak kohë para se deputetët e Kuvendit të shkojnë me pushime verore, presionet e zyrtarëve të lartë të BE-së për përfundimin e këtij procesi duke kushtëzuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Evropë, duket se po sjellin shenja të zgjidhjes nga blloku i partive në pushtet.

Deri tash ende nuk është dhënë një datë e saktë e sjelljes në votim të kësaj pike, megjithatë burime të KosovaPress nga ana e dy partive të mëdha në pushtet tregojnë se është duke u punuar me të madhe që të binden deputetët e shumicës për ta kaluar çështjen e demarkacionit.


Problem sipas tyre kanë me disa nga deputetët e koalicionit të dy partive të mëdha, si dhe nga partitë më të vogla, të cilët po e luajnë mirë çështjen e ‘dhënies së votës’, përfshirë këtu edhe votën e PD-së.

Këto burime tregojnë se deri tash kanë arritur të bindin disa deputetë (përfshirë edhe Alma Lamën) të cilët më herët e kishin deklaruar si gati të pamundshëm votën e tyre pro demarkacionit.

KosovaPress mëson se shumë emra nga diplomatët e huaj e kanë quajtur të paaftë qeverisjen aktuale.

Ata thonë se udhëheqësit e partive qeverisëse nuk kanë treguar kurrfarë shenje të qeverisjes së mirë përderisa për gati 12 muaj nuk arritën ta kalojnë në Kuvend çështjen e demarkacionit.

Deklaratat e fundit të këtyre diplomatëve dhe zyrtarëve të BE-së, vetëm sa i janë thënë opinionit, ndërkohë që të njëjtat i janë deklaruar zyrtarëve kosovarë javë më parë.

Durimi i ndërkombëtarëve ka kaluar çdo pikë pritjeje, dhe si i tillë do të sjell ‘pasoja’ për qytetarët e Kosovës, meqë klasa politike nuk ka treguar fuqi politike.

Nisur nga këto të dhëna, votimi për demarkacionin do të planifikohet për një shans të fundit për seancën përmbyllëse të kësaj sezone për Kuvendin e Kosovës, e cila edhe do të qonte në pushime verore deputetët.

Përndryshe, kujtojmë se marrëveshjen në verën e shkuar e kanë nënshkruar, për palën kosovare, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, asokohe pas nënshkrimit të marrëveshjes pati thënë se marrëveshja është në “përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.