LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja BESA akuzon Ministrinë e financave për mospërfillje të Kushtetutës së vendit

Lëvizja BESA akuzon Ministrinë e financave për mospërfillje të Kushtetutës së vendit

Përmes një komunikate drejtuar Telegrafi Maqedoni, Lëvizja BESA akuzon Ministrinë e financave të Maqedonisë se nuk prfill kërkesat kushtetuese dhe ligjore për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë.

Përmes dy grafikonëve, lëvizja BESA tregon për pjesëmarrjen e shqiptarëve në procesin vendimmarrës në këtë ministri.

Grafikoni Besa


Mes tjerash, kjo lëvizje thotë:

„…shqiptarët janë aty më pak se për sy e faqe bile. Këtu duhet shpjeguar se prej 12 udhëheqësve të sektorëve vetëm 1 (një) është shqiptar dhe po ashtu prej 15 ndihmës- udhëheqësve të sektorëve po ashtu vetëm 1 (një) është shqiptar. Bile, edhe më keq, në sektorin ku udhëheqësi është shqiptar ekziston një pozicion udhëheqës me autorizime më të larta se të udhëheqësit të sektorit, përkatësisht Koordinatori Nacional Autorizues. Ndërkaq diskriminimi vazhdon edhe në nivelin më të ulët hierarkik: në njësitë që janë në përbërje të sektorëve, ku prej 64 përgjegjësve të njësive vetëm 5 (pesë) janë shqiptarë. Ky diskriminim shprehet edhe në menaxhmentin më të lartë të institucionit – vetë ministri i Financave i ka 10 këshilltarë, prej të cilëve vetëm 1 (një) është shqiptar. Po ashtu, kabineti i Ministrisë përbëhet prej 7 administratorëve, prej të cilëve vetëm 2 (dy) janë shqiptarë.

Kur kihet parasysh ky diskriminim etnik, është normale të paraqiten dyshime dhe të parashtrohet pyetja se a është në gjendje ky institucion ta shpërndajë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë buxhetin dhe mjetet monetare me të cilat menaxhon, kur struktura e tij ngrihet mbi diskriminim etnik. Prandaj ne konstatojmë se me kaq mospërfillje të shqiptarëve në këtë institucion as që mund të priten rezultate në procesin vendimmarrës për shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të buxhetit.

Nisur nga kjo, Departamenti i Financave i Lëvizjes BESA e pyet veçmas partinë shqiptare në pushtet se, përveç kujdesit që e ka shfaqur për vjedhjen dhe abuzimin e financave publike, a është marrë ndonjëherë me këto të dhëna dhe çfarë mendon ajo për këtë diskriminim? Nëse kështu ajo i përfaqëson shqiptarët, i bie ta falënderojmë dhe t’i presim shpresat prej përfaqësimit të saj.

Ndërkaq, duke synuar RIDEFINIMIN e sistemit shtetëror, Lëvizja BESA përsërit qëndrimin se ajo do të angazhojë ekspertët më të mirë shqiptarë nga lëmi i financave për të na përfaqësuar në Ministrinë e Financave, të cilët nuk do të jenë “për sy e faqe”, por do të jenë në rolin e duhur dhe në frymë të interesave shqiptare në Maqedoni. Askush nuk do të mund t’ua marrë të drejtën profesionistëve shqiptarë që, përmes menaxhimit të suksesshëm me financat publike, të arrihet rritje ekonomike më e madhe dhe të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, siç theksohet edhe në Misionin e Ministrisë së Financave.“/Telegrafi/