LAJMI I FUNDIT:

Në malësinë e Karadakut protestohet kundër prerjes së drunjve

Në malësinë e Karadakut protestohet kundër prerjes së drunjve

Banorët e fshatit Bellanoc të Malësisë së Karadakut protestuan kundër prerjes së pyjeve në këtë anë të malësisë. Banorët të revoltuar, për Alsat-M thonë se me pa të drejtë po u shkatërrohet prona private, ndërsa fajin për këto dëme të shkaktuara nga prerësit ilegal të druve, ia hedhin njësisë së pyjeve të Maqedonisë në Kumanovë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Urgjentisht të ndalet prerja e malit. Të formohet një komision nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë për vlerësimin dhe shkatërrimin e pyjeve, gjegjësisht dëmtimin e natyrës. Të gjithë ata që kanë kontribuar për në këtë nivel të dëmtohet natyra , fauna dhe flora, të përgjigjen para organeve shtetërore”, deklaroi Agim Gashi nga Këshilli organizativ i protestës.

“Ne nuk e lejojmë këtë punë prej sot e tutje le ta kenë me dije ndërmarrja e pyjeve njësia në Kumanovë, se këtu është ndërprerë njëherë e përgjithmonë prerja e druve, mos të mashtrohen ti dërgojnë punëtorët sepse mund të vjen edhe në konflikt”, tha një banor.


“Na e kanë ruajtur baballarët tanë thuaj se 200 vjet, e me ardhë ndokush me na i shkatërru krjet mallin kjo punë nuk është e mirë dhe i lusim që mos të përsëritet më”, u shpreh një tjetër banor.

I kontaktuar nga Alsat, drejtori i njësisë së ”Pyjeve të Maqedonisë” në Kumanovë, Vaid Saiti, thotë se përgjegjësia i takon organeve shtetërore për ruajtjen e pyjeve dhe jo personalisht atij. Ndërkohë banorët paralajmërojnë vazhdimin e protestës deri në ndalimin e prerjes së paligjshme të druve në pronat e tyre private./Telegrafi/